Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Tiranë me kryeministrin e ri të Belgjikës, Bart De Wever, me fokus në marrëdhëniet dypalëshe, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në rajon.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe se Belgjika ka qenë dhe mbetet një partnere e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj integruese.
“Bashkë, diskutuam për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve tona, mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për integrimin euroatlantik të Kosovës, situatën e sigurisë në rajon, si dhe nevojën për heqjen e masave të padrejta kundër qytetarëve tanë,” shkroi Osmani.
“Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Belgjikën.”, shkroi tutje presidentja.