Nënkryetarja e partisë opozitare në Serbi për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq, ka akuzuar presidentin e këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, për lidhjen me një grup kriminal dhe për trafik droge.
Në një konferencë për shtyp në parlamentin serb, Tepiq tregoi dokumente që, siç pretendon ajo, policia dhe prokuroria franceze ia dërguan Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Serbi katër vite më parë, raporton edicioni i Al Jazeera-s në gjuhën serbe.
Këto dokumente përfshijnë, ndër të tjera, komunikime të përgjuara që, sipas Tepiq, lidhin Vuçiqin dhe vëllain e tij me trafikun e drogës dhe anëtarë të grupeve kriminale si Filip Koraç.
Koraç është etiketuar nga autoritetet franceze si trafikant droge dhe ishte arrestuar në Hungari në vitin 2023.
Vuçiq deklaroi se akuzat janë të rreme dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë këtë çështje.
Politikania e opozitës pretendon se ka mijëra faqe provash dhe se do t’i publikojë të gjitha në ditët në vijim.