Shkumbin Ahmetxhekaj, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së, mbrëmë ka shpalosur disa prapaskena të ndikimit të pushtetit mbi televizionin publik. Kryefjala e krejt intervistës së Ahmetxhekajt është mënyra se si tentuan ta largonin atë nga udhëheqësia e RTK-së.
Së pari ishte oferta e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës. Pastaj ishte qartësimi i mesazhit të Kurtit nga ana e “ndërmjetësuesit”, që në këtë rast ishte Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës. Në fund, ishte Dejona Mihali, koordinatore e fuqishme e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Hapi I: Oferta e Kurtit
Në rrëfimin e tij, Ahmetxhekaj tregoi për një takim në mes tij dhe kryeministrit Kurti. Ftesa për takim erdhi nga vetë Kurti, sipas Ahmetxhekajt.
“Asistentja ime më ka njoftuar se kemi pasur një kërkesë për një takim me kryeministrin e Kosovës në zyrë, me datën 3 dhjetor 2023. Ka qenë ditë e diel”.
“Unë kisha bindjen se ka ardhur momenti që RTK-së t’i jepet buxhet shtesë dhe kam thënë që fatkeqësisht RTK-ja aktualisht e ka buxhetin nga Qeveria edhe pse do të duhej kjo të buronte nga Kuvendi i Kosovës, bindja ime ishte që në këtë takim po ftohesha për ta elaboruar më shumë planin se pse RTK-ja duhet të ketë buxhet shtesë. Kurti e pranonte se në RTK ka ndryshim, por mendonte se duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë, i elaboroi ndryshimet, ishte i njoftuar me reformën që e kisha prezantuar në bord dhe në një moment të caktuar Kurti tha se ka ardhur koha për ndryshim të ri në menaxhment, sepse sipas tij kishte ardhur momenti për një hov të ri të zhvillimit të RTK-së dhe në njëfarë forme më tha që ndoshta do të isha i mirë për përfaqësim të Kosovës kudoqoftë e përmendi si opsion”, tha Ahmetxhekaj.
Hapi II: “Sqarimi” i Çekut
Në mënyrë që oferta e mesazhi i Kurtit të kuptohej qartësisht nga ana e Ahmetxhekajt, në përdorim kishte hyrë ministri Çeku.
“Diskutuam për takimin e një dite më parë se çfarë kemi kuptuar, konkretisht çfarë do të më bënte të jepja dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, sepse është një vullnet i përgjithshëm që të ndryshohet menaxhmenti i RTK-së, të ketë drejtorë të rinj dhe që RTK-ja të përparoj tutje me këdo. Ministri Ceku nuk është se e ka ndarë mendimin e njëjtë, ka ndjerë keqardhje për këtë lloj komunikimi, e ka thënë shpesh gjatë bisedes, por ka dasht të sigurohet se a është kuptu drejt apo jo kjo gjë” – ka deklaruar Ahmetxhekaj.
Hapi III: Dejona Mihali
Në hapin e tretë të këtij “operacioni” u përfshi edhe Mihali. Në fjalën e Ahmetxhekajt, Mihali ishte përfshirë në ndryshimin brenda RTK-së, i cili nënkuptonte largimin e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik.
“Nga ajo se çfarë kam kuptuar pastaj është se këtu kemi përfshirjen e një zonje, e cila nuk është pjesë e strukturave shtetërore, por e cila çuditërisht është marrë me Shkumbinin. Asnjëherë nuk më ka kontaktuar direkt, asnjëherë nuk më ka shkruar direkt, por ajo çka kam kuptuar edhe prej anëtareve të bordit edhe prej të tjerëve është se kjo zonja në fjalë, e cila nuk është një mit, por është e vërtetë që në Kosovë sundon – pra vendos – thjesht ka vendos për ndryshimin që duhet të ndodh në RTK”, tha Ahmetxhekaj në Klan Kosova.
“Është një zonjë e cila drejton një nga strukturat e partisë Vetëvendosje” – theksoi Ahmetxhekajt, i cili u pyet nëse kjo “zonja” është Dejona Mihali, të cilën gjë e konfirmoi me “po”, shkruan Nacionale.
“Ajo që di është se me të tjerët ka bisedu dhe ka kërku largimin e Shkumbinit, thjesht për një ndryshim tjetër. Po, e ka kërkuar (largimin tim v.j.)…Këtë ma kanë konfirmuar anëtarët e Bordit. Është në vullnetin e tyre nëse do ta thonë. Të paktën 4 prej tyre ma kanë thënë” – tha tutje ai.