Ndryshimet klimatike që po ndodhin, ndikojnë në sjelljet e viruseve të cilët rrisin sëmundshmërinë në popullatë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përditësuar listën e patogjeneve që kanë rrezik të shtuar për të shkaktuar një pandemi të re në të ardhmen, që nga Ethet e Nilit Perëndimor të cilat kanë shtuar numrin e rasteve, por edhe mutacioni që ka pësuar Lija e majmuni e cila tanimë transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet kontaktit të ngushtë apo prekjes së sendeve të infektuara dhe nuk shfaqet vetëm në Afrikë.
OBSH ka listuar 32 viruse dhe baktere ndërkohë që më parë ishin vlerësuar vetëm 9 të tilla. Në listën e re përfshihen patogjene si vibrioni i kolerës, disa bakterie të cilat kanë përqindje të lartë të rezistencës ndaj antibiotikëve si Klebsiella pneumoniane.
Gjithashtu janë futur sëmundje të cilat transmetohen nga vektorë si ethet tropikale, chikungunya.
Në vëmendjen e OBSH rishfaqet edhe gripi i shpendëve, pasi me rënien e imunitetit ky virus mund të shkaktojë pandemi nëse nuk mbahet në kontroll.
Këtyre u shtohen edhe kërcënimet që vijnë nga ebola, virusi zika dhe viruse të tjera që i përkasin familjes se Sars Cov 2 .
Një komitet i përbërë nga 20 shkencëtarë të caktuar nga OBSH kanë analizuar më shumë 1600 patogjenë gjatë dy viteve të fundit për identifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe që kërkojnë vëmendjen e qeverive në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitur siç ndodhi me pandeminë e Covid-19.