Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë mbrojtja e të akuzuarve Arlind Manxhuka, Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët po akuzohen për nxitje të përçarjes dhe kanosjen e gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu.
Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Azemi, ish-asamblist i kësaj partie në Prishtinë, ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenelaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari Manxhuka gjatë mbrojtjes deklaroi se qëllimi i postimeve të tij në Facebook ka qenë në kuadër të ngjarjeve politike të asaj kohe dhe se reagimi i tij ka qenë brenda suazave të lirisë së shprehjes.
“Siç është evidentuar në reagimin tim, nuk ka pasur thirrje apo nxitje për urrejtje, asnjë emër i përmendur, asnjë person i sulmuar dhe është objektivisht e vërtetuar se reagimi im ka qenë i bërë para se në publik të dihej ndonjë emër dhe se nuk i referohet asnjë personi individualisht”, ka thënë Manxhuka.
Ai tha se ai ka reaguar mbi bindjen e tij për një ngjarje të caktuar politike (ndryshimi i masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Dejan Pantiq), e cila ka pasur reagime të shumta dhe se nuk është e mundur që postimi i tij ka nxitur reagime, pasi që në kohën që e ka shkruar atë postim, nuk është ditur personi.
Manxhuka po ashtu tha se postimin nuk e ka fshirë pasi që nuk e ka ndjerë veten përgjegjës.
Ndërsa, i akuzuari Azemi, i pyetur nga mbrojtësja e tij, avokatja Teuta Hyseni nëse postimi për të cilin akuzohet ka të bëjë me palët e dëmtuara, tha se është një thënie e një heroi, që ka qenë hera e pestë që e ka postuar ndër vite dhe asnjëhëerë më parë nuk është akuzuar për një postim me përmbajtje të tillë.
Azemi gjatë mbrojtjes tha se postimet e tij janë publike dhe se mund të shihen komente, sharje, mospajtime që iu drejtohen atyre si aktivistë apo si anëtarë të një subjekti politik.
Sipas tij, nga mediat e kanë kuptuar se lënda (ndaj Dejan Pantiq) është kryer në kundërvajtje, kurse u shpreh se aktakuza ndaj tyre është ngritur nga inati.
“Dhe besoj që me këto dëshmi vetëm se kuptohet qartë që Prokuroria këtë akuzë e ka totalisht nga inati sepse nuk do të kritikohet dhe është e interesuar që të dënojë, mirëpo jo kriminelët. Me këtë proces që kanë iniciuar, po tentojnë të frikësojnë aktivistë e studentë që të mos kritikohet puna e tyre. Gjuetia e tyre tregon se kjo Prokurori është e etur që t’i hesht zërat që i kundërshtojnë, madje madje edhe kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të vendit bëhet nënë me kriminelët serbë për të cilët kërkonte arrest shtëpiak edhe pse dyshoheshin edhe kishte fakte dhe dëshmi të qarta se kanë hudhur bomba dhe kanë sulmuar institucionet e Republikës, është e njëjta kjo Prokurori që i lironte në arrest shtëpiak. Por, e njëjta Prokurori e bën njerkën me ata të rinj e të reja që duan ta mbrojnë këtë vend”, tha Azemi.
Ai theksoi se vetëm pak muaj pas kësaj aktakuze, në Kosovë ndodhi një sulm gjigant terrorist i grupeve të armatosura, duke pyetur se a ndjehet përgjegjëse Prokuroria.
Në anën tjetër, i akuzuari Qerim Elshani deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për ngjarjet në Kosovë atëkohë.
Elshani deklaroi se palët e dëmtuara nuk i ka njohur dhe për herë të parë emrat e tyre i ka dëgjuar në hetuesi. Po ashtu, për të akuzuarin Azemi tha se nuk e ka njohur më parë dhe se për herë të parë e ka takuar në gjykatë.
Kurse, i akuzuari Edi Zenelaj tha se e kupton veprën penale të kanosjes, por që ai nuk e ka kryer një vepër të tillë. Tha se atë ditë me disa të rinj, aktivistë politikë, kanë bërë një aksion simbolik për produketet serbe.
“Përmes mediave e kemi kuptuar vendimin e gjykatës për lirimin e Dejan Pantiq, ku kemi vendosur që të marrim një aktivitet simbolik me mesazh politik”, ka thënë Zenelaj.
Ai tha se nuk ka pasur për qëllim që të frikësojë apo kanos dikënd dhe se gjykatësin Bajraktari dhe prokurorin Shefiku për herë të parë i ka parë gjatë dhënies së dëshmisë së tyre.
“Pas postimit të grafitit në Facebook e kam parë të arsyeshme ta heq brenda 24 ore, kjo për faktin se ndoshta më ka shkuar mendja se një postim i tillë mund ta dëmtojë imazhin e personave të lartcekur”, tha Zenelaj.
Në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale, si dhe shikimi i video-incizimit.
Avokati Muharrem Kurtaj tha se ka dërguar propozimin që kjo çështje sa i përket të mbrojturit të tij Qerim Elshani të trajtohet nga Departamenti i Përgjithshëm– Penal, me arsyetimin se Departamenti Special është tepër profesional dhe i specializuar që të trajtojë rastin konkret.
Propozimi i avokatit u kundërshtua në tërësi nga prokurorja Fikrije Fejzullahu me arsyetimin që për veprën për të cilën ngarkohen dy të akuzuarit e parë janë në kompetencën e Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Elshani dhe Zenelaj akuzohen për kanosje që bien në kompetecën e Departamentit të Përgjithshëm- Penal. Por, tha se në rastin konkret lidhshmëria logjike e veprimeve të të pandehurve ndërton një fotografi në bazë të së cilës akuza plotësohet.
Më pas, propozimi u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Mxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.
Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.
Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.
“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.