Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur falënderim për qytetarët që e mbështetën në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, të cilat u certifikuan sot.
Haliti theksoi se mbi 15,500 votues brenda dhe jashtë Kosovës i kanë besuar atij votën, duke vlerësuar angazhimin e tij politik e kombëtar, të cilin e ka nisur që prej gjysmë shekulli për liri dhe pavarësi.
“Edhe pse numri i votave nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar mandatin e shtatë si deputet, për mua është tregues i qartë se puna dhe angazhimi im për vendin nuk kanë kaluar pa u vënë re,” ka thënë ai.
Postimi i plotë:
FALËNDERIM!
Të dashur qytetarë, votues të Partisë Demokratike të Kosovës në Kosovë dhe diasporë,
Ju shpreh falënderim të thellë dhe mirënjohje të pakufishme çdonjërit prej jush që më ka besuar dhe votuar në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025, i cili u përmbyll sot me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mbi 15 500 qytetarë në Kosovë dhe diasporë kanë besuar në angazhimin tim politik dhe kombëtar, aspak të lehtë, nisur tash e gjysmëshekulli për liri dhe pavarësi.
Edhe pse numri i votave nuk ishte i mjaftueshëm për ta siguruar mandatin e shtatë të deputetit, për mua është tregues i qartë se puna ime, angazhimi im për vendin, për të mirën e qytetarëve, nuk ka kaluar pa u vënë re.
Megjithatë, zotohem fuqishëm se do të vazhdoj të jem zë i fuqishëm për qytetarët brenda shtëpisë sime – PDK-së, për realizimin e ëndrrës së përbashkët për një Kosovë ma të mirë.
Mbështetja juaj është burim fuqie për të kontribuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më përparimtare dhe më të sigurt për të gjithë, që secili nga ne të ketë mundësi më të mëdha dhe shpresë për të ardhmen.
Marrë parasysh se Kosova është në një çast kyç, dhe ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim të vazhdueshëm, bëj thirrje për krijimin sa më shpejt të institucioneve të reja funksionale, për të garantuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Deputetëve të PDK-së dhe të gjithë të tjerëve u uroj punë të mbarë dhe të suksesshme, me bindje se do të punojnë për më të mirën e Kosovës, të qytetarëve dhe të vendit.
Faleminderit nga zemra!
Me respekt,
Xhavit Haliti