Familja e Martin Canit ka nisur një hetim paralel me organet e drejtësisë për ngjarjen ku humbi jetën 14-vjeçari.
Avokati i tyre Redi Ramaj, tregon se ky hetim ka nisur si përpjekje për të shuar konfuzionin mbi hetimin institucional.
“Mendojmë që zbardhja e ngjarjes së ditës së premte mund të hedhë dritë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pra kemi të bëjmë përfundimisht me një sherr fëmijësh që ka sjellë fatalitet apo kemi të bëjmë me pjesëmarrjen e personave të tjerë që nuk janë bashkëmoshatarë? Të shumtë janë personat që kanë ardhur për ngushëllim e kanë dëshmuar të vërtetat që dinë, por nuk janë pyetur akoma nga organet ligjzbatuese”, tha avokati Redi Ramaj për “TCH”.
Krahas grumbullimit të dëshmive, avokati Ramaj ka nisur që prej 27 nëntorit kërkesat për marrjen e dokumenteve shtetërore mbi rastin por dosja e 14-vjeçarit, por nuk është dorëzuar ende në duart e tij.
“Ne i kemi paraqitur kërkesat e domosdoshme prokurorisë dhe policisë. Nuk kemi ende ekspertizën mjeko-ligjore. Kemi bërë e një sërë shkresa për institucione të tjera duke nisur nga vetë shkolla për te na informuar për ditën e momentin e ngjarjes, a është zhvilluar i plotë mësimi për klasat e personave të përfshirë në konflikt. Deri sot akoma jemi në terrin e ditëve të para dhe kjo nuk është normale”, shtoi avokati.