Pagat e minatorëve pritet të ekzekutohen në fillim të javës së ardhshme. Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, i cili u emërua në këtë detyrë para gati një jave.
“E kam një bindje që në fillim të javës së ardhshme të ekzekutohen pagat për minatorët në bazë të asaj se çfarë biseduam me minatorët”, ka thënë Ahmeti pas takimit që ka zhvilluar sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve.
Minatorët nuk i kanë marrë akoma pagat e qershorit dhe korrikut. Ata janë të vendosur që të mos i kthehen punës deri në ekzekutimin e pagave.
Qeveria e Kosovës ka dalë javën e kaluar me reagim për gjendjen në Trepçë, por pa ofruar ndonjë zgjidhje për pagat. Përkrahjen financiare e ka kushtëzuar me një zotim.
Në reagim konfirmohet gjendja e rëndë në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje, ku theksohet se po operon me humbje “si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.” “Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.
Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në reagim.
Sipas ekzekutivit, mënyra e vetme për t’u stabilizuar situata financiare e ndërmarrjes dhe kompensimi i rregullt i punonjësve është që të rritet prodhimi dhe të hyrat dhe të ulen shpenzimet. “Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes.
Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet tutje në reagim.
Aty theksohet se përkrahje financiare do të varet nga plani dhe zotimi konkret për uljen e shpenzimeve dhe rifillimin e prodhimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.