Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur njohjen e Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar këtë ngjarje si një akt të rëndësishëm që pasqyron përkushtimin e shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës për pavarësinë e Kosovës.
Në një komunikatë për media, LDK ka shprehur mirënjohjen për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit për këtë njohje dhe ka theksuar se kjo është një mundësi për forcimin e mëtejshëm të diplomacisë kosovare.
“Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky moment shënon gjithashtu një kapitull të ri që vjen si rezultat i përpjekjeve të pandalshme të miqve ndërkombëtarë të Kosovës.“, thuhet në komunikatën e tyre.
Komunikata e plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e shtetit të Sudanit për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ky akt i rëndësishëm është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të vazhdueshëm të shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës së popullit të Kosovës për pavarësi.
LDK shpreh falënderimet e sinqerta për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit në këtë vendim, i cili forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap rrugë të reja për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky moment shënon gjithashtu një kapitull të ri që vjen si rezultat i përpjekjeve të pandalshme të miqve ndërkombëtarë të Kosovës.
LDK riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, për thellimin e lidhjeve diplomatike dhe për avancimin e interesave strategjike të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.