Dje gazeta e njohur gjermane, “Bild”, ka raportuar se, sipas informatave të saj, Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Kjo ka nxitur debat në Kosovë, se si do të ndikonte në sigurinë në vend nëse një gjë e tillë ndodhë.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim ka thënë se tërherqja e trupave amerikane nga Kosova mund të ketë pasoja serioze.
“Trupat amerikane janë pjesë e KFOR-it, forcave të sigurisë ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin dhe mbrojtjen e paqes në Kosovë. Pa praninë e tyre, mund të rritet pasiguria, duke përfshirë mundësinë për tensione të rinovuara mes grupeve etnike, si dhe një hapësirë më të madhe për influencën e vendeve të tjera si Rusia ose Serbia, që janë kritike ndaj pavarësisë së Kosovës”, tha Shala.
Sipas Shales largimi i trupave amerikane mund të ndodh nga disa faktorë, si ndryshimet politike dhe diplomatike.
“Po, është e mundur që trupat amerikane të tërhiqen, por kjo do të varej nga zhvillimet politike, ushtarake dhe diplomatike. Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar politikat e tyre të angazhimit ushtarak në rajon përmes periudhave të ndryshme. Nëse ka një ndryshim të qëndrimeve strategjike të SHBA-së ose një marrëveshje ndërkombëtare, si një angazhim më të fuqishëm të BE-së ose të NATO-s, kjo mund të çojë në një tërheqje të trupave”, shtoi ai.
Ndërsa për marrëveshjen e ShBA-ve me Rusinë, eksperti i sigurisë tha se kjo mund të ndikojë edhe në Kosovë.
“Marrëveshja Ukrainës padyshim mund të ndikojë në shumë vatrat të krizave kështu edhe në Kosovë/Serbi. Por si do të jetë metet për të parë”, përfundoi Shala