Kombinati metalurgjik Trepça, dikur ishte gjigant në ish-Jugosllavi, ndërsa sot përballët me kushte jashtëzakonisht të vështira.
Se Trepça po përballët me ditë të vështira, tregon fakti se nga janari deri në gusht, minatorët nuk kanë punuar 74 ditë pune, ndërsa pagat e tyre varën nga prodhimi, përkatësisht shitja e produkteve.
Trepça e cila po largon nga puna shumë punëtorë, është përballur me gjendje të jashtëzakonshme për shkak të humbjeve të mëdha ditore në prodhim të reduktuar, edhe pse treg për shitje ka, konfirmojnë nga kombinati.
Një tjetër problem për kombinatin Trepça janë edhe makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes.
Se problemi është i madh me pajisjet e vjetruara e ka thëën edhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
“Problem, aktualisht, janë pajisjet e vjetruara, makineritë… Dhe kjo po ndikon në sasinë e prodhimit”, thotë ai.
Pas shumë problemeve të vazhdueshme të Trepçës, e cila kishte humbje të mëdha është dashur që Qeveria e Kosovës, të ndajë mbi 28 milionë euro brenda katër vjetëve.
“Për paga dhe shërbime operative, Qeveria, përgjatë katër vjetëve të kaluar, ka ndarë mbi 28 milionë euro”, thuhet në një deklaratë me shkrim të udhëheqësisë së Trepçës.
Trepça për shkak të këtyre problemve nuk ka prodhim të mjaftueshëm, rrjedhimisht nuk mund t’i sigurojë as pagat e punëtorëve.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Këtë e bënë më tmerruese fakti se, punëtorët nuk kanë as sigurime shëndetësore, as jetësore, ndërsa incidente në kombinat ndodhin vazhdimisht, e në anën tjetër atyre u mungojnë edhe kushtet elementare.
Pas këtyre problemeve elementare, si duket ka ardhë koha për investime të fuqishme në Trepçë!
Por, si e qysh, kur Qeveria ende nuk lejon investitorë të jashtëm, edhe pse janë të shumtë.
Ishte vet, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që më 23 gusht ka thënë se Qeveria është e gatshme të investojë në Trepçë, “vetëm kur të vihet në vend drejtësia”, pa treguar më konkretisht se për çfarë drejtësie e ka fjalën.
Pyetje që duhet shtruar me urgjencë është se si të ringjallet Trepça?
Tregu, ku aktualisht eksporton Trepça, është ai evropian, Zvicër, Angli dhe Bullgari.
Por, pavarësisht sigurisë së tregut, vetëm me shitjen e koncentrateve, Trepça nuk mund të mbijetojë, thotë Izet Ibrahimi, profesor në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
Ringjallja e Trepçës, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse pjesërisht kalon në duart e sektorit privat, sepse investimet nga Qeveria janë për mbijetesë dhe jo për zhvillimin e saj.
“Të gjitha qeveritë në vazhdimësi, të ndikuara nga ana emocionale, dëshirojnë ta ruajnë pronësinë shoqërore – që unë mendoj se është gabim i madh. Ekziston forma e partneritetit publiko-privat apo me koncesion që të jepet një sektor, siç është metalurgjia, përpunimi i produkteve…”, thotë Ibrahimi.
Megjithatë ka investitorë të fuqishëm që shprehin gatishmërinë për të investituar fuqishëm në Trepçë.
Njëri prej tyre është edhe shqiptari Beki Baliu, një milioner i cili punon me me miniera në Afrikë.
Ai kur është pyetur për investimin në Trepçë ka thënë se është i gatshëm dhe së bashku me investitorë të tjerë botërorë brenda natës mund të investitojnë mbi 500 milionë euro.
Pyetja milionëshe që duhet shtruar për fund është: Pse Qeveria dhe institucionet tona po heshtin? Pse nuk pranojnë investitorin që merret me miniera në Afrikë? Pse nuk hapin rrugën për investime në Trepçë, kur dihet kapaciteti që ka biznesmeni z. Baliu?
Rreth Trepçës
Kompleksi metalurgjik Trepça, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është shoqëri aksionare – 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Produktet kryesore që prodhohen atje, janë xehet dhe koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera.
Deri në vitet ’90, kur është përkeqësuar situata politike, Trepça është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.
Në periudhën pas ka nisur rënia e prodhimit dhe zvogëlimi i numrit të punëtorëve – nga rreth 20.000 atëkohë, sot i ka rreth 700 minatorë.
Makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes janë shndërruar në probleme të vazhdueshme.
Greva të punëtorëve, në kërkim të kushteve më të mira dhe pagave më të larta, ka kohë pas kohe.