Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, lëshoi së fundmi mesazhe kërcënuese gjatë një konference për mediat, duke e paralajmëruar Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, për “pasoja të dhimbshme”, nëse Beogradi vendos sanksione ndaj Rusisë apo ndërmerr ndonjë veprim që konsiderohet armiqësor nga Moska.
Shkaku i këtyre kërcënimeve, lidhet me fatin i Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), një kompani serbe kryesisht e zotëruar nga kompanitë ruse Gazprom dhe Gazprom Neft, e cila është sanksionuar së fundmi nga SHBA. Tani Serbia tani përballet me një zgjedhje të madhe: t’i nënshtrohet presionit dhe kërcënimeve ruse, ose t’u japë përparësi interesave të qytetarëve të
saj dhe të ndjekë rrugën e vet.
Në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës, presidenti Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, duke theksuar se 85 për qind e qytetarëve serbë e mbështesin dhe kanë dashuri për këtë vend. Por ai shtoi se qëndrimi mund të ndryshojë, nëse mosvendosja e sanksioneve nis të kërcënojë drejtpërdrejt stabilitetin ekonomik të Serbisë.
Por a është e qëndrueshme kjo politikë për vendin më të madh në Ballkanin Perëndimor, tani që Rusia është përjashtuar nga e gjithë Evropa dhe Perëndimi dhe nga vetë qytetërimi? Duke pasur parasysh sfidat e mëdha që paraqesin sanksionet ndaj industrisë së naftës në Serbi, përgjigja është e qartë: jo.
Ndaj i vetmi diskutim që ia vlen të bëhet është se kur, dhe jo nëse, Serbia do të bëjë një ndryshim të rëndësishëm të qasjes. Pretendimi i Vuçiç mbi përqindjen e lartë të ndjenjave pro-ruse në mesin e serbëve, mund të jetë i vërtetë. Megjithatë, ndjenja të tilla nuk mund dhe s’duhet të shërbejnë si parametër për një lider që merr vendime për kombin.
Është detyra e një burri shteti që të lërë mënjanë emocionet e shumicës – qofshin ato reale apo
jo – dhe të marrë vendime të bazuara në arsye dhe fakte. Në rastin e NIS, situata është e qartë. SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj kompanisë për shkak të pronësisë së saj kryesisht ruse. Britania e Madhe i është bashkuar këtyre sanksioneve, dhe BE-ja ka të ngjarë të ndjekë këtë shembull.
Në këto kushte, Serbia s’ka zgjidhje tjetër veçse të pezullojë pronësinë e Gazprom dhe Gazprom Neft dhe të rimarrë kontrollin e plotë të NIS. Deklaratat e Lavrov, nënvizojnë qëndrimin afatgjatë të Moskës ndaj Serbisë, pra të një politike që e trajton Beogradin jo si një partner sovran, por si një vasal të nënshtruar.
Serbia gjendet në një situatë të paqëndrueshme, ku zgjidhja e vetme duket se është shtetëzimi i NIS për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të rafinerisë dhe furnizimin e tregut vendas. Ndërsa një veprim i tillë, do të ishte padyshim në përputhje me interesat kombëtare të Serbisë, udhëheqja ruse do ta shihte si një tradhti dhe tashmë po kërcënon me hakmarrje.
Ka ardhur koha që Serbia të vendosë qytetarët e saj para Moskës, dhe të nisë rikontrollin e NIS si hapin e parë drejt pavarësisë. Midis partnerëve perëndimorë, ka një padurim në rritje ndaj Serbisë për shkak të ngurrimit të saj për t’iu bashkuar kundërpërgjigjes më të madhe evropiane ndaj dhunës dhe krimeve shtetërore të Moskës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Jeta e përditshme e jo vetëm 85 përqindëshit që përmend Vuçiç, por e të gjithë të qytetarëve serbë, është shumë e ndërthurur me Evropën dhe jo me Rusinë. Serbia kryen gati dy të tretat (61 për qind) të tregtisë së saj me ekonomitë e BE-së, ndërsa vetëm 5 e tregtisë është me Rusinë.
Nga të gjitha investimet e huaja në Serbi, më të mëdhatë në rajon, thuajse 70 për qind vijnë
nga BE-ja, krahasuar me më pak se 10 për qind nga Rusia. Investitorët perëndimorë, krahas kompanive vendase, janë punëdhënësit më të mëdhenj në Serbi, me qindra mijëra vende pune.
E çfarë do të humbasë ekonomia e Serbisë kur (dhe jo nëse) të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë? Më pak se 1 miliard dollarë në eksporte, kryesisht produkte ushqimore dhe industriale (sigurisht, përpara agresionit rus kundër Ukrainës). Kjo shumë është më e vogël se eksportet vjetore të Serbisë në Bosnje Hercegovinën fqinje (1.35 miliardë dollarë) ose gati e barabartë me eksportet e saj në Kosovë, të cilën ajo nuk e njeh ende si shtet.
Ndërsa Serbia po mendon një ndryshim në politikën e saj ndaj Rusisë, situata na kujton vitin 1948, kur udhëheqësi i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndërpreu lidhjet me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik. Për liderin e Jugosllavisë komuniste, ai vendim ishte shumë më sfidues sesa do të ishte sot për Vuçiçin.
Sepse në atë kohë, qindra mijëra trupa sovjetike dhe aleatët e tyre ishin vendosur përgjatë kufijve të Jugosllavisë me Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, gati për të pushtuar çdo vend rebel.
Brenda vendit, ndjenja pro-Stalinit ishte aq e fortë saqë mijëra stalinistë jugosllavë ishin gati të mbështesnin një pushtim sovjetik, madje edhe me koston e burgosjes së tyre.
Shumë gjeneralë dhe oficerë të sigurimit e shihnin Moskën dhe Stalinin si shefat e tyre, jo Beogradin dhe Titon. Ata ishin gati të vdisnin për BRSS dhe Stalinin. Në Serbinë e sotme, nuk ekzistojnë kërcënime të tilla. Për më tepër, Serbia është e rrethuar nga anëtarët e NATO-s, dhe kjo do të thotë se përkundër ndjenjave të ngrohta për Rusinë, askush në Serbi nuk është i gatshëm të rrezikojë të burgoset, e lëre më pastaj jetën, për Vladimir Putinin.
Vendimi i Titos ishte i mbushur me rreziqe të mëdha, jo vetëm për kombin, por edhe për veten e tij. Stalini u përpoq disa herë që ta vriste. Disa dëshmi flasin për deri 22 atentate. Ajo ishte një përballje me BRSS-në e atëhershme, e cila ishte më e fortë se Rusia e sotme. Rreziku ishte i pakrahasueshëm me pasojat e vogla që mund të ketë Serbia e sotme, por vendimi u mor.
Për vite me radhë, Rusia është sjellë në një mënyrë destruktive ndaj Serbisë, duke e trajtuar atë
si krahinë të saj dhe duke besuar se gjithçka është e lejueshme. Shërbimet sekrete ruse janë eksponentët kryesorë të këtij qëndrimi agresiv, jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ku flasim për “kordonin e kërthizës” midis Serbisë dhe Rusisë, që është aleanca për Kosovën, duhet të themi me qetësi se sulmi i Putinit ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, e ndërpreu këtë lidhje. E izoluar edhe më herët në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, Rusia përballet tani me refuzimin e komunitetit global.
Ndaj mbështetja e tij nuk është më e nevojshme apo e arritshme. Moska do të vazhdojë të mbrojë Serbinë dhe Kosovën si pjesë e saj, si brenda OKB-së dhe organizatave të tjera të rëndësishme, por ky pohim vjen nga një vend agresor i pafuqishëm dhe i izoluar, zëri i të cilit në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka shumë peshë.
Pas pushtimit brutal të Ukrainës, aleanca me Rusinë nuk është një opsion. Mbështetja e krimeve kundër njerëzimit nuk mund të jetë një opsion për asnjë komb apo udhëheqje të tij. Lidhja sot
me Rusinë e Putinit do të thotë të jesh bashkëpunëtor i saj. Nuk është thjesht një zgjedhje gjeopolitike por një çështje civilizimi.
Presidenti Vuçiç ka një mundësi historike për të siguruar vendin e Serbisë në mesin e kombeve më të përparuara të botës. Dante Alighieri shkroi dikur se “vendet më të nxehta në Ferr, janë të rezervuara për ata, që në kohëra krizash të mëdha morale, ruajnë neutralitetin e tyre”. Serbia nuk mund të vazhdojë të qëndrojë neutrale. Kjo do të ishte katastrofike për të.
Shënim: Dr.Orhan Dragaš, ekspert serb mbi sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. “Kyiv Post”