Dy bashkëpunëtorë të BIA-s serbe do të ballafaqohen në gjykatë me akuza për spiunazh. Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të arrestuar në një aksion policor vitin e kaluar.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy të dyshuarve për spiundazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit.
Dy të dyshuarit për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA), ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar në një operacion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.
Prokuroria tha sot se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy të pandehurit, të cilët janë mbajtur në paraburgim, kanë kryer veprën penale të ‘spiunazhit’.
“Për dy të pandehurit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale Spiunazhi nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, tha Prokuroria Speciale.
Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.
Shabani dhe Muharremi, të dy me origjinë nga Ferizaj, dyshohen se kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Në operacionin e qershorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në pronat e dy të dyshuarve.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.