spot_img
Saturday, November 23, 2024
spot_img

“Nga tmerri i dhunës në Greqi braktisën gjithçka e ikën në Turqi”- Peticioni i 1923-ës, çfarë i kërkuan çamët qeverisë! Të pathënat për qëndrimet e Tiranës dhe të Ankarasë për spastrimin etnik të shqiptarëve

NGA HAJREDIN ISUFI *HISTORIAN/ Vala e emigrimeve të shqiptarëve të Çamërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë kishte filluar në masë në vitin 1923. Ai ishte një kalvar i gjatë dhe i dhimbshëm. Më 26 tetor 1923, një peticion që i drejtohej qeverisë shqiptare nga përfaqësues të Çamërisë njoftonte se familjet çame nga Arpica, Parga, Karbunari, Margëlliçi etj., nga tmerri i dhunës që përjetonin nga qeveria greke, kishin braktisur shtëpitë dhe pasurinë dhe ishin nisur në Turqi.

QËNDRIMI I QEVERISË SHQIPTARE NDAJ SHPËRNGULJES MASIVE TË SHQIPTARËVE

Është me interes të theksojmë, se Mid’hat Frashëri, i dërguari me punë i Shqipërisë në Athinë, i tërhiqte vëmendjen Tiranës, në korrik të vitit 1923: “Shqiptarët e Çamërisë po terrorizohen, që të iknin e të zbrazej vendi për refugjatët grekë”. Në gusht të atij viti, Mid’hati i tërhiqte vëmendjen kryediplomatit shqiptar në Tiranë: “Në kryeqendrat e Çamërisë: Filat, Paramithi, Gumencië, Margëllic e Pargë kishte nisur një propagandë në masë nga ana e grekëve, duke thënë “Se Shqipëria nuk i do çamët”, duke sjellë si argument, kthimin e dy-tri familjeve çame nga fshati Koskë i Filatit, që dogana shqiptare u kishte kërkuar një taksë të rëndë doganore për disa rrecka që kishin arritur t’i merrnin me vete nga shtëpitë e tyre. Kjo i detyroi ata që të ktheheshin pas, të dëshpëruar, me zemër të thyer dhe me bashkëfshatarët e tjerë të hiqnin shpresat për të kaluar në territorin shqiptar.

Mid’hati e ndiqte nga afër dramën çame. Ai kontaktonte vazhdimisht me përfaqësues të Çamërisë, merrte informacione prej tyre dhe ishte në dijeni të plotë të dramës që përjetonin shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Çamëri. Edhe pse ishte i pakënaqur nga qeveria shqiptare, ai nuk nguronte t’i rekomandonte kryediplomatit shqiptar, në mars 1924, që qeveria shqiptare duhet të merrte disa masa urgjente për instalimin e çamëve. Pra, kërkohej që qeveria shqiptare të hapte dyert dhe të mundësonte lehtësimin e vuajtjeve të asaj popullsie fatkeqe dhe se ishte detyrë e shtetit shqiptar të interesohej për bashkëkombësit e vet.

Nga burimet dokumentare të kohës bëhet mëse e ditur se qeveria shqiptare për pritjen dhe instalimin e çamëve nuk mori asnjë masë administrative. Edhe një ligj dhe rregullore, që doli në qershor të 1923, për instalimin e çamëve të emigruar, mbeti në letër deri në vitin 1931. Edhe ata çamë që hynë në territorin shqiptar nuk lejoheshin të instaloheshin në asnjë vend nga bejlerët. Pronarët e tokave i kërkonin administratës vendore shqiptare, sidomos në rrethet Sarandë e Delvinë, kompensimin e çdo trualli që do të lëshonin për të emigruarit. Indiferentizmi i qeverisë së Zogut ndaj familjeve çame, që kërkonin strehë për të shpëtuar nderin e jetën e familjeve të tyre, u bë objekt i kritikave të ashpra në shtypin e kohës dhe në diplomacinë shqiptare. Gazeta “Politika”, që dilte në Vlorë nën drejtimin e Halim Xhelos, në mars 1924 shkruante: “Qeveria e Zogut s’bëri asgjë për çamët. Ministri i Jashtëm ishte një patriot, por mjerisht i plakur dhe i vdekur”. Gazeta “Demokratja”, Gjirokastër, 28 prill 1928, shkruante: “Qeveria shqiptare nuk merret aspak me shqiptarët përtej kufirit, ku grekët vazhdojnë barbaritë e tyre…”.

Dhimitër Berati, anëtar i delegacionit shqiptar, në caktimin e kufijve, më 09 tetor 1923 i shkruante MPJ në Tiranë: 50 familje çame kanë ardhur në Sarandë dhe vuajnë për bukën e gojës. Gazeta “Dajti”, më 17 shtator 1924, informonte opinionin shqiptar: “Grekët realizuan dëshirën e tyre për çrrënjosjen e shqiptarëve. Athina përpiqet të kandisi Lidhjen e Kombeve se çamët duan të emigrojnë në Turqi”. “Gazeta e Korçës”, 13 mars 1926, shkruante, gjithashtu: “Qeveria shqiptare bënte pak përpjekje për çështjen çame”. Gazeta “Demokratja”, 11 maj 1929, shkruante: “Kosova dhe Çamëria vuajtën më shumë se çdo minoritet tjetër, le të na thotë qeveria ku bazohet arsyeja e heshtjes së saj mbi çështje me kaq rëndësi”? Por jo vetëm shtypi, por edhe shumë personalitete të kohës, reaguan nga indiferentizmi i qeverisë së Zogut: Mid’hat Frashëri, ministër i Shqipërisë në Athinë, i rekomandonte Tiranës, në vitin 1925, të demaskoheshin në Tribunalin e Hagës 300 katunde të djegura nga grekët më 1914 dhe shtonte më tej: “Të bënte dhe qeveria shqiptare ndaj grekofonëve në Shqipëri, atë që bënte Greqia në Çamëri: “Vendosja e këtyre masave, – shkruante Mid’hati, – ishin për të mirën e çamëve dhe një presion për qeverinë greke, për të ndaluar reprezaljet dhe spastrimin etnik të çamëve”. Fejzi Lepenica, konsulli i Shqipërisë në Janinë, më 14 janar 1928, i drejtohej MPJ në Tiranë, ndër të tjera edhe për çështjen çame: “Qeveria shqiptare ta shikojë me syrin e merituar çështjen çame…

Tirana të zgjohet nga gjumi letargjik e të shkundet”. Në këto rrethana, e vetmja rrugë shpëtimi për çamët, ishte emigrimi në Turqi. Një vend i huaj, që nuk njihnin as vendin, as gjuhën, as zakonet, megjithatë ata shihnin te Konsullata Turke në Athinë dhe te përfaqësuesi turk në Komisionin Mikst, një ndjenjë të ngrohtë dhe një dëshirë të madhe për ta shpëtuar atë popullsi fatkeqe nga vuajtjet.

EMIGRIMET E SHQIPTARËVE NË TURQI

Emigrimi i shqiptarëve në Turqi deri sot nuk është trajtuar në historiografinë shqiptare, as për numrin e popullsisë që u vendosën aty, as edhe për numrin e pakët të familjeve çame që kaluan në shtetin amë. Aty-këtu kemi ndonjë të dhënë të përgjithshme: burimet shqiptare të viteve ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, publikojnë se nga komunat e Follorinës e të Kosturit emigruan në Anadoll rreth 30.000 veta, ndërsa nga Janina, Parga e Preveza rreth 20-25 mijë vetë. Pra, nga të dhënat e mësipërme emigruan gjithsej rreth 55.000 veta. Xhemal Frashëri, konsulli shqiptar në Janinë, më 25 dhjetor 1936, ndër të tjera i raportonte Tiranës: Nga nënprefektura e Margëlliçit kishin ikur në Turqi 3784 vetë. Nga burimet historike arkivale, mësohet se vetëm nga Mazrreku, fshat me 2000 banorë, kishin në Turqi deri në 1937 rreth 800 vetë (AQSH, f.251, v,1937, Dos (08), f, 1-6.)

Ndërkohë qeveria turke, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, ishte e angazhuar në Konferencën e Lozanës se nuk do të pranonte asnjë mysliman shqiptar në kuadrin e marrëveshjes së shkëmbimit të popullsisë greko-turke. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme Turke, u kishte lëshuar qarkore të gjithë vilajeteve, ku u bënte të ditur se autoritetet turke ishin kundër ardhjes në Turqi të popullsisë myslimane shqiptare që jetonin në Greqi. Ankaraja, nga burimet e veta konsullore që kishte në Greqi, merrte informacione trishtuese. Ata i raportonin MPJ në Turqi: “Ditë për ditë (konsullata dhe anëtari i Komisionit Mikst) merrte lutje prej shumë shqiptarëve të Çamërisë, të cilët për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga torturat njerëzore të Greqisë, kërkonin të largoheshin e të shkonin në Azinë e Vogël”. Në gjendjen dramatike që kalonte popullsia shqiptare në Greqi, Maqedoni dhe Kosovë, qeveria e Qemal Ataturkut nuk mund të qëndronte indiferente ndaj minoriteteve që shuheshin nga politika e egër greke e serbe, që kishte urrejtje ndaj popujve që nuk kishin të njëjtën fe dhe kombësi me ata. Turqia, e sapo dalë nga një luftë e përgjakshme, në vështirësi të mëdha dhe i pamëkëmbur nga periudha shkatërrimtare e luftërave të jashtme dhe civile, hapi dritën jeshile për t’u hapur portat pakicave shqiptare në Çamëri, Maqedoni dhe Kosovë. Personeli i konsullatës turke në Athinë, bashkë me anëtarin turk të komisionit, lëviznin nëpër skelat e Greqisë, në Pargë, në Selanik, në Patra etj.. për të ndihmuar familjet shqiptare që prisnin me javë të tëra të merrnin vizat për Turqi.

KUJTIME PËR EMIGRIMIN E ÇAMËVE NË TURQI

Për sa më sipër, shkova vetë në Turqi, kohë më parë. Së pari, të mblidhja të dhëna për emigrimin e çamëve në Anadoll jo vetëm nëpërmjet dokumenteve, por me anë të kujtimeve të të moshuarve që mbanin mend nga tregimet e të parëve dhe të afërmeve të tyre. Krahas kujtimeve, isha i interesuar, nëse do të gjeja foto familjesh çame në fillimet e emigrimit të tyre. Së dyti, të shikoja në vendet ku ishin instaluar familjet çame nga Karbunari, Margëllici, Filati, Paramithia, Mazërreku, Arpica, Vola, Dolani, Koska, Gardhiqi, etj. Nga informacionet paraprake nga miqtë dhe të afërmit e familjes time në Turqi, isha i informuar se vendet ku ndodheshin këta ishin: Izmiri, Karshiaka, Menemen, Aliaga, Yozgat, Foca, Milas, Iskenderun, Mersin, etj..

Së treti, pritja që iu bë në Turqi çamëve nga qeveria e Ataturkut. Falë mikpritjes dhe bujarisë që treguan të afërmit e komunitetit tim, dhe miqtë turq, m’u krijuan të gjitha mundësitë të realizoja në pjesën më të madhe synimet e mija. Që në momentin e parë të mbërritjes time, Refija, një çame e fortë dhe energjike, që i ka kaluar të 80-at, bashkë me Qamilen, një zonjë grua me origjinë çame nga i ati, nga Dolani dhe nënën nga Karbunari, e martuar me Sehmi Ozkeser (turk), bashkë me djalin e saj, Tuncin, më shoqëruan hap pas hapi me makinën e tyre për të lëvizur kudo që ishte interesi i synimeve të mija. Intervistuesi i parë ishte çami Ferhat Isuf Ali Murati, nga Paramithia. Ishte një takim i ngrohtë dhe mbresëlënës. Një njeri me kulturë të gjerë dhe me dashuri po aq të madhe për shtetin turk ku kishte lindur dhe Çamërinë, vendin e të parëve të tij. Me këtë çam komunikova lirshëm se e kishte mësuar shqipen dhe e fliste në një mënyrë për t’u adhuruar. “Im atë erdhi në Turqi në vitin 1934, djalë në moshën 23-24 vjeç, beqar dhe pas disa vjetësh u martua me një vajzë Karbunarite, familja e të cilës kishte emigruar vite më parë këtu, fillimisht në Menemen”.

Pushoi pak, mori frymë thellë sikur donte të shtrydhte memorien e tij për të treguar gjithçka që ishte regjistruar në trurin dhe në shpirtin e tij nga tregimet e të parëve, dhe vazhdoi- “Sapo arrinin familjet çame të emigruara në tokën turke, paraqiteshin për t’u regjistruar një për një tërë pjesëtarët e familjes, me emër dhe datëlindje. Qeveria turke kishte nxjerrë një urdhëresë që çdo kryefamiljari t’i ndryshohej mbiemri:- Kur babai im, Isufi, shkoi për t’u regjistruar e pyetën ke ndonjë të afërm në Turqi? Ai u përgjigjJo!, – Çfarë mbiemri do?, – babai ngriti supet, nëpunësi i gjendjes civile ndërhyri dhe i tha- T’ju vëmë mbiemrin Sajdar.- dhe i shpjegoi kuptimin e këtij emri, që Sajdar do të thoshte në turqisht fis i vogël, i kufizuar”. Zoti Ferhat është një enciklopedi e gjallë e Çamërisë. Ai kishte shumë njohje me çamët e fshatrave të ndryshme të Çamërisë, në zonën e Izmirit dhe falë këtyre lidhjeve, më krijoi takime interesante. Ai tregoi disa hollësi të familjes së tij të atyre viteve që pothuajse i hasa me shumë intervistues të tjerë çamë të thyer në moshë. “Babai im, – tregon Ferhati- kur erdhi në Turqi, dinte tri gjuhë të huaja, ishte djalë qytetar nga Paramithia, bir i një familjeje të pasur, kryer gjimnazin grek në atë qytet. Ai dinte shqip, greqisht dhe italisht; me të folur e të shkruar. Kur erdhi në Turqi për të mbajtur familjen u detyrua të fillojë punë si çoban, si bari i një tufëze të vogël bagëtish, që e krijoi me kredi lehtësuese nga shteti turk. Edhe unë, kur shkova 10 vjeç, ruaja bagëtitë me shokët, në kodrat përreth Menemenit, në kohën kur kthehesha nga shkolla”. Nga intervistuesi im, mësova shumë detaje interesante nga familjet çame që u emigruan në Turqi. Lidhur me këtë është me interes të përmendim një detaj interesant: Brezi i parë i familjeve çame, i përmbaheshin një kriteri të fortë, që për ta ishte një ligj i pashkruar, por detyrimisht i zbatueshëm, që synonte në dy gjëra, e para – familjet me afërsi fisnore ose kur ishin bashkëfshatarë, synonin të instaloheshin në grup pranë njëri tjetrit. Së dyti, lidhjet martesore t’i bënin përbrenda komunitetit.

“Babai im, – tregon Ferhati – kur vendosi të më martonte mua, kërkonte një vajzë të rangut të familjes së vet me emër. Kur nuk arriti ta gjente atë që kërkonte tek bashkëvuajtësit e vet, që nuk i njihte nga afër, më fejoi dhe më martoi me një vajzë që kishim lidhje gjakut të largët, në Karbunarë, që ishte nga një derë e madhe, burrash të mençur, e të pasur. Brezi i parë i çamëve nuk parapëlqente në asnjë mënyrë të krijonte lidhje martesore për vete e për fëmijët e tyre me emigrantët maqedonas, emigrantët bullgarë dhe turqit, pavarësisht se ishin myslimanë”. Refija, një vajzë çame, e lindur në Turqi, nga dy prindër çamë nga rrethinat e Filatit, tani në moshë shumë të thyer, na tregoi një fotografi të rinisë së saj nga martesa me Eqeremin, një shqiptar i emigruar nga Maqedonia, me tri vajzat dhe djalin që nuk jeton më. Në Izmir intervistuam dhe një çam tjetër nga Margëlliçi, lindur në Turqi. Ai tregoi disa kujtime nga të moshuarit, të çamëve të brezit të parë se kur kishin ardhur me familjet e tyre në Turqi, qeveria turke iu kishte ofruar ndihmë dhe mikpritje vëllazërore të pakursyer. Ai më kumtoi, gjithashtu, se familjet çame dhe veçanërisht të parët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë që përballonin dhe dhimbja e njerëzve dhe e pasurive që kishin lënë pas, prapëseprapë tregoheshin se ishin të lumtur dhe iu dukej vetja si në ëndërr që në shtetin turk gjetën trajtim njerëzor, barazi, me shtetasit turq, drejtësi në institucione dhe siguri në jetë e familje që nuk i kanë pasur kurrë për dekada të tëra në shtetin grek.

Çamët në Turqi, pavarësisht nga lidhjet martesore që krijuan më vonë me komunitetin e huaj, kanë ruajtur si gjë të shtrenjtë lidhjet mes tyre. Mes të afërmve me lidhje gjaku, dhe këto cilësi të larta ua kanë transmetuar edhe fëmijëve të tyre. Është me interes të theksoj se pinjollët e Çamërisë, pavarësisht kanë apo nuk kanë lidhje gjaku, shpesh bëjnë vizita te njëri tjetri dhe këto gjëra kanë gjetur mbështetje e mirëkuptim edhe të bashkëshortët e tyre. Në foton e mëposhtme, janë tri gra çame të martuara me turq, të cilët si burrat edhe gratë i kam njohur nga afër, shpesh takojnë dhe bëjnë vizita të ndërsjella. Në Foca shkuam për të takuar familjet çame dhe shqiptarë të Maqedonisë. Foca është një qytet turistik, me bregdet të bukur, të rrethuar nga Lindja dhe Perëndimi me kodra të buta e plot gjelbërim, me urbanistikë të rregullt, me ndërtesa dy dhe trekatëshe. Hapësira Jugore, dikur fushë pambarim, kishte filluar të mbushej me ndërtime. Në bregdet shtriheshin disa kioska të vogla, që shërbehej për turistët. Atje Qamilja, dhe i shoqi i saj Semihu, na krijoi mundësinë që të kontaktonim fillimisht me disa shqiptarë të Maqedonisë. Ishin të moshave të ndryshme, por me përjashtim të turqishtes, asnjëri nuk dinte gjuhë tjetër.

Njëri prej tyre, më i moshuari, na tregoi se kur kishin shkuar shqiptarët e Maqedonisë në atë zonë në vitet 1923-1935, ishte një fushë pa ndërtesa. Atje qeveria turke sajoi disa ndërtesa provizore për Maqedonasit, më pas i ndihmoi me kredi të buta e me shumë lehtësira të tjera, dhe ata u sistemuan dhe për vite të tëra qëndruan aty derisa u hap rruga për në vendet perëndimore, që një pjesë shkuan edhe në kurbet. Në Foca kishte shumë Maqedonas, njëri prej tyre që ishte nga një fshat i Follorinës , kujtonte nga thëniet e të atit se të parët e tij i kërkuan qeverisë së Zogut, të vendoseshin në Korçë, se nuk donin të shkonin në Turqi, nga frika se ishte një distancë e gjatë dhe së dyti nuk njihnin gjuhën dhe zakonet turke, por meqenëse qeveria e Zogut nuk u krijoi asnjë lehtësi, ata gjetën mbështetjen e konsullatës turke në Athinë që iu lëshoi vizat për në Turqi. Në Foca shkuam në një familje tjetër çame, me burrë turk e gruan çame. Të dy të moshuar, në pension, me fëmijë të martuar. Edhe këtu na shoqëroi Qamilja me Semihun. Meqenëse u vonuam shumë në bregdet, me shqiptarët e Maqedonisë, dhe tek familja shkuam në kohë dreke me mendimin se nuk do drekonim aty.

Sapo arritëm na u rezervua një pritje e ngrohtë, me shumë dashuri , megjithëse ishim të panjohur dhe shiheshim për herë të parë, përzemërsia e tyre ishte kaq shprehëse saqë dukej se po takonin me pjesëtare familjesh të ndarë prej vitesh. Ilmia, e zonja e shtëpisë mu hodh në qafë dhe me lot në sy tha – “Mirëserdhët gjaku ynë, vendi ynë, vëllezërit tanë”! Takimi me çamët në Foca ishte mbresëlënës dhe më krijoi emocione të thella, kur motra ime çame m’u hodh në qafë dhe me një zë të mekur dhe me pika loti që i rridhnin në sy, më tha- kurrë nuk do të harroj në jetën time kënaqësinë e madhe që ndjeva duke biseduar në shtëpinë time për Çamërinë dhe për banorët e saj myslimanë, që kanë kaluar një kalvar të dhimbshëm. Është për të theksuar një veçori që mbart një traditë shqiptare – mikpritja, bujaria, një dukuri karakteristike. Kur ftoheshim për biseda nëpër shtëpia apo ambiente të jashtme, bujtësi për të krijuar kënaqësi në pritjen e mikut, thërriste shumë miq dhe të njohur çam, që ta ndante gëzimin e tij me të tjerët.

KOHA SHËRON PLAGËT, POR DHIMBJA NUK HARROHET

Çamët në Turqi ishin integruar plotësisht. Turqia për ta ishte bërë atdheu amë, çdo intervistues këtë e shprehte me bindje e fjalë zemre. Ata ishin bërë shtetas të barabartë me Turqit, pa asnjë dallim e paragjykim. Ata ishin të pranishëm kudo, në ushtri, në administratën qendrore dhe vendore, në arsim, në shëndetësi, në artizanat, në biznese të mëdha, të mesëm e të vogla. Një pjesë e mirë e brezit të ri që kishte dashur ishte arsimuar me arsim të lartë. Kishin mbaruar studimet master e doktoraturë. Megjithatë, mallin dhe dashurinë dhe atdheun e të parëve të tyre e shprehnin me dhimbje, por siç na kumtonin, kishin pak informacion ose aspak për vendin e origjinës për shkak të mungesës së kontakteve me të afërmit e tyre që nga koha e largimit nga Çamëria e deri në 1991 me fillimin e tranzicionit.

Në Izmir ka shumë shqiptarë të Çamërisë. Njëri prej tyre me shumë emër jo vetëm në Izmir por në të gjithë shtetin turk, madje edhe përtej Atlantikut, deri në Çikago për firmën e njohur të ëmbëlsirave që eksporton nga punishtja e tij e njohur. Ai është nga Koska. Të dhënat e familjes së tij do të jenë objekt i një teme të veçantë, të parët e tij kanë emigruar në vitin 1925 nga Koska, një fshat i vogël historik dhe me shumë emër në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1910-1912. Ai ka lindur në Turqi në shenjë kujtimi të identitetit së origjinës të paraardhësve të tij, punishten e madhe të ëmbëlsirave e ka pagëzuar me emrin Koska. Një masë dërmuese e popullsisë së Izmirit pavarësisht prejardhjes së tyre e dinë ku është qendra e atij biznesi ëmbëlsirash me emrin “Koska”, dhe që në fillim të thonë- “Është çam nga Koska e Çamërisë, por është një biznesmen me shume emër shumë i njohur dhe prodhon mall hallall. Duke përfunduar nuk mund të lë pa përmendur Erdenin, çam me origjinë nga i ati nga fshati Karbunarë dhe nga nëna një refugjate myslimane bullgare. Erdeni është i martuar me një vajzë çame që quhet Arzu me origjinë nga gjyshja e saj nga Filati.

Erdeni, është një fermer i madh dhe shumë i suksesshëm, ai kultivon perime të llojeve të ndryshme në një sipërfaqe në rreth 300 ha, një pjesë prej të cilës e merr me qira ndërsa 100 ha me ndihmën e shtetit turk, me kredi të buta dhe inkurajuese i ka pronë të tij. Prodhimet e fermës i tregton jo vetëm në Izmir por edhe në Stamboll. Ai është jo vetëm fermer i suksesshëm por edhe një njeri i lidhur shumë me familjen e tij grua dhe dy vajzat e tij, por edhe me të afërmit dhe miqtë. Ai ka krijuar kushte shumë të favorshme për familjen e tij dhe një shtëpi moderne. Me çamët në Turqi, mora mbresa dhe kujtime personale që në vetvete formojnë kujtesën kolektive të asaj popullsie që emigroi rreth 100 vjet përpara. Njoha nga afër se traditat dhe vetitë e larta të paraardhësve të tyre, ata i ruanin në shpirt pavarësisht të lidhjeve të përziera familjare që kishin krijuar dhe gjuhën shqipe për shkak të izolimit e të mos komunikimit nuk e përdornin, prapëseprapë ata kur dëgjonin emrin Çamëri dhe grimca historie të saj, kishin qejf të rrinin me orë të tëra e të të përcillnin dashuri dhe etje për të mësuar nga tragjedia e paraardhësve të tyre. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit