Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mbrëmë ka ‘trazuar’ rrjetin pas deklaratave të tij për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Limaj, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik.
Limaj u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me Kurtin, duke thënë se kjo është një “interes shtetëror”.
“Kush t’më ftojë në tavolinë, unë shkoj ulna, për tema nacionale. Çka po të vynë një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hy në një qeveri jofunksionale. As me opozitën nuk e përjashtojë që ulem”, ka deklaroi ai.
Kreu i Nismës nuk ngurroi t’i bënte këto deklarata, ani pse Haradinaj me të cilin ishte në koalicion, është shprehur kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen.
“Duhet ta kuptojmë se ne jemi dy parti politike. Nuk e kemi të domosdoshme të votojmë njëjtë për çështje të ndryshme”, u shpreh Limaj.
E të shumta ishin reagimet që erdhën pas deklaratave të Limajt, nga opozitarët, analistët e njohësit e çështjeve politike.
Sipas tyre, Limaj një gjë të tillë po e bën për interesa personale.
Një ndër reagimet e para që erdhi mbrëmë, ishte ai i kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka ironizuar me nofkën e Limajt në luftë “Komandant Çeliku”.
“Nga çelik në bakër, shumë shpejt”, ka shkruar Molliqaj.
Ashpër ndaj Limajt ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili para një jave kishte paralajmëruar një koalicion të mundshëm mes Nismës dhe VV-së.
“Fatmiri është i gatshëm nëse Albin Kurti e thërret të bashkohet me të për krijimin e qeverisë së re. Unë besoj që Fatmir Limaj shkon edhe veç një ministri me ia jep Albini, ai shkon me të në qeveri”, ka potencuar ai.
E sot, erdhi edhe reagimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i cili i çoi një mesazh Limajt, ani pse pa e përmendur drejtpërdrejt.
“E keqja ka emër – Albin Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.
Nga AAK-ja ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se deklarata e Limajt nuk është qëndrim i AAK-së.
“Nuk është fare qëndrim i Aleancës çfarëdo koalicioni me VV-në”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë, përmes një postimi u Facebook u deklarua edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili përcolli një mesazh të qartë.
“Fatmir Limaj osht nda prej Hashim Thaçit, e s’po ndahet prej Ramush Haradinajt”, shkroi ai.
Në mesin e shumë reagimeve, nuk mungoi as ai i gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili tha se nuk beson se Nisma do bashkëpunojë me VV-në.
“Une nuk e besoj qe Fatmir Limaj behet me Albin Kurtin. Nuk e besoj qe eshte hajvan”, theksoi ai në Facebook.
Kujtojmë se Fatmir Limaj ka qenë një nga politikanët i cili e ka kritikuar ashpër Kurtin përgjatë katër viteve të fundit, duke e quajtur si “mashtrues”, “politikan që ndërron qëndrime”, “politikan që vuan nga kompleksi i së kaluarës”, e “njeri që punën e parë të tij e ka pozitën e kryeministrit”.