spot_img
spot_img
Wednesday, January 22, 2025
spot_img
spot_img

“Nga diabeti te infarkti, sëmundjet që mposhtën Enverin, mjekët e huaj që u thirrën për pacientin VIP”

Shkruar nga Afrim Imaj

“Enveri kishte një diabet 40-vjeçar, që pavarësisht mjekimit special dhe regjimit rigoroz, nuk mund të kalonte pa efektet e pritshme, sidomos në sy, në veshka e zemër”. Në kujtimet e Profesor Hoxhës për diagnozën e njeriut më të rëndësishëm të Shqipërisë komuniste, ndër të tjera hidhet dritë  në disa aspekte të panjohura të sjelljes së pacientit VIP me bluzat e bardha dhe njerëzit e afërt në momente krizash. Pas shënimeve për gjenezën dhe zbulimin e beftë të sëmundjes në verën e vitit 1948, mjeku që nuk u shkëput asnjë çast nga ekzaminimi i saj risjell përpjekjet e jashtëzakonshme për kurimin e   diagnozës tinëzare. Të parën vura në dijeni Nexhmijen, – shkruan profesor Hoxha, – pastaj krerët e udhëheqjes, të cilët u alarmuan nga sëmundja e papritur dhe sollën menjëherë specialistë nga Moska. Tensionit dhe peripecive të ditëve të para për përcaktimin e mjekimit të nevojshëm iu shtua dhe një telash i papritur: Diagnoza e Komandantit duhej ruajtur sekret! Çdo rrjedhje informacioni njësohej me krimin e tradhtisë! Në kujtimet e tij profesori i dëgjuar vë në dukje se ky kod i çuditshëm paradoksalisht mori shenjtërinë e betimit të Hipokratit dhe oshilacionet e shëndetit të Enverit nuk i dinte njeri, me përjashtim të një grupi të vogël njerëzish. Nga ky rregull nuk u përjashtua as situata kritike e infarktit të 1973, përmend mjeku i njohur, duke veçuar telashet me mjekët e thirrur nga Pekini dhe kinezëritë e doktorit që kishte mjekuar Kim Ir Senin në Vietnam…

Analiza e parë e Enverit

spot_img

Ishte fundi i verës së vitit 1948. Po bëhej gati dy vjet që isha transferuar nga spitali i Shkodrës në atë të Tiranës. Njohja e hershme me Enverin ishte bërë shkak që ai të më besonte shëndetin e prindërve, të cilët duhet theksuar se i donte dhe i respektonte shumë. Me ta njihesha që nga koha e fëmijërisë. Sipas porosisë së Enverit shkoja shpesh në shtëpi dhe i vizitoja, herë njërin dhe herë tjetrin. U jepja mjekimet e rastit dhe i këshilloja për mënyrën e sjelljes ndaj sëmundjes. Një pasdite gushti, teksa kisha përfunduar injeksionet e anese dhe po delja në korridor, më thirri Nexhmija dhe e shqetësuar më tha se Enveri nuk ndjehej mirë. Nga çfarë ankohet, e pyeta. Ajo më sqaroi se pinte shumë ujë, madje edhe natën. Në fakt, deri atëherë Enverin nuk e kisha vizituar asnjëherë. Ai gëzonte shëndet të mirë. Nga sa e vëreja më dukej se shëndoshej vazhdimisht, duke u rritur në peshë me shpejtësi. Në këtë periudhë Enveri peshonte mbi 100 kilogram, ndërkohë që ishte i gjatë një metër e 84 centimetra. Fillimisht Nexhmijes i thashë se duhej ta vizitoja patjetër, pasi kjo sasi uji tregon se diçka në shëndetin e tij nuk është normale. Enveri në përgjithësi e kishte bezdi praninë e mjekut. Është e vështirë për t’i mbushur mendjen, më tha Nexhmija, duke më përmendur veç huqeve të të shoqit, edhe ngarkesën e madhe që kishte ato ditë. Me sa më kujtohet ishte vigjilja e Kongresit të parë të Partisë dhe ai ditë e natë merrej me raportin e tij. “Së paku, shtova aty për aty, duhen bërë një palë analiza gjaku”. “Mirë e ke ti, po hajt t’i mbushësh mendjen atij për t’i marrë gjak”, ma ktheu Nexhmija. “Atëherë, i thashë, më dërgoni me infermieren në spital urinën më të fundit të tij”. Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe sa mbërrita në spital më dërgoi kampionin e urinës. Unë e çova në laborator duke i vënë një emër tjetër, në mënyrë që mos të merrej vesh se për kë ishte. Rezultati erdhi menjëherë: Ishte një glukozicemi shumë e rëndë. U trondita dhe shkova menjëherë te shoqja Nexhmije që punonte në Komitetin Qendror. Asokohe, KQ ishte në një godinë të vjetër, diku midis Hotel “Dajtit” dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. I fola i emocionuar për gjendjen: “Enveri ka sëmundjen e sheqerit dhe analiza tregon se e ka shumë të lartë”, i thashë duke i kërkuar që të merreshin masa urgjente. Tashmë isha para një situate të re e krejt të papritur. Sëmundja e porsa diktuar te njeriu më i fuqishëm i vendit, dashje pa dashje do më vinte në pozitat e gatishmërisë numër një. Lajmi tronditi edhe krerët e udhëheqjes. Për diagnozën duhej të dinte vetëm një rreth i ngushtë njerëzish. Ajo duhej ruajtur “Top sekret”. Nuk vonoi dhe sipas porosisë erdhi nga Bashkimi Sovjetik mjekja endokrinologe, specialiste për diabetin, Vasinkova, e cila përcaktoi mjekimin dhe dietën. Ajo ndenji afërsisht tre muaj bashkë me një infermiere të quajtur Kllavida Andrejevna, e cila bënte analizat, llogaritjet e kalorive, përgatitjet e menyve ditore, përdorimin e dozave të tabletave dhe uniteve të insulinës. Problem mbetej pajtimi i Enverit me sëmundjen, sidomos në periudhën e parë. Më vonë ai u ndërgjegjësua dhe iu përgjigj me përpikëri ekzaminimeve të përditshme. Sidoqoftë, Enveri nuk e konsideronte kurrë veten të sëmurë dhe nuk ankohej asnjëherë, megjithëse që nga dita e parë kur iu konstatua diabeti filloi të kërkojë e të lexojë shumë literaturë që bënte fjalë për të. Kjo më vuri në një vështirësi të madhe. Njëherazi me kurimin, më duhej të lexoja jo vetëm libra e revista shkencore, po edhe materiale të devulguara shkencore popullore, që jo rrallë paraprinin mendimin e vërtetë shkencor, duke u bërë edhe objekt diskutimi për pacientët. Nuk duhej të më shpëtonin as këto. Në rast të kundërt, mosnjohja e tyre mund të vlerësohej si një mosdije e madhe për të tërën. Ishte kjo që më shkaktonte një tension jo pak të vogël. Çfarë ishte duke lexuar Enveri, duhej ta dija edhe unë! Pra, më duhej të isha jo vetëm njohës i mirë i sëmundjes tinëzare si mjek i specializuar, por edhe për njohuritë që kishte fituar një pacient kurioz i nivelit të lartë për sëmundjen e tij. Enver Hoxhës i sillnin periodikisht gati të gjitha ato që botoheshin në Francë për njerëzit e sëmurë nga diabeti, si dhe materiale shkencore të devulguara, ku flitej në veçanti për ndonjë medikament të ri e shpresëdhënës. Ballafaqimi me të kësisoj nuk mund të mbetej në kufijtë e mjekut me një pacient të thjeshtë. Në rastin e Enverit, duhej të dija gjithçka që dinte ai mbi sëmundjen e diabetit, se përndryshe nuk kishin vlerë njohuritë profesionale.

Në Paris, për diabetin

Ishte viti 1965. Një mëngjes teksa bisedonim me Enverin për teknikat e reja të mjekimit të diabetit, ai më propozoi të shkoja ca kohë për specializim në Francë. E vërteta është se unë e shikoja shumë të nevojshme një gjë të tillë, por më vinte zor për ta kërkuar. Në fund të vitit shkova në një klinikë speciale në Paris dhe pas tre muajsh u ktheva. Aty mësova për mjekimin e ri të diabetit. Sa u ktheva, u takova me shokun Hysni (H.Kapon-shënim i red.) E informova për teknikat e reja që përdoreshin aty. Në Francë, në atë periudhë kishte filluar të bëhej zëvendësimi i insulinës me antidiabetik oral. Enveri në përgjithësi e kishte bezdi të madhe përdorimin e gjilpërave. Sakaq, të aplikoja mjekimin e ri tek ai ishte diçka me përgjegjësi të veçantë. Hysniu, që e kuptonte mirë shqetësimin tim, më propozoi ta provonim fillimisht tek ai mjekimin e ri, duke hequr insulinën, e pasi të shikonim rezultatin, ta përdornim tek Enveri. Ashtu vepruam. Pas disa ditësh konstatuam dhe efektin e mjekimit. Tani mbetej për ta përdorur tek Enveri. Mjekimi më i fundit i diabetit kërkonte një regjim spitalor, së paku një javë. Enveri e kishte tmerrësisht të vështirë të shkëputej nga puna, aq më tepër të mbyllej në një dhomë të klinikës. Nejse, shkuam me Hysniun dhe i treguam për teknikën që do përdorim për diagnostikimin e sëmundjes. Ideja për të hequr insulinën, së paku për të ulur nivelin e uniteve të saj, e mrekulloi, por nuk pranoi t’i nënshtrohej regjimit spitalor. Më në fund Hysniu ia mbushi mendjen dhe pas disa ditësh aplikuam mjekimin e ri. Që nga ky moment lindi nevoja për të caktuar një mjek personal që ta ndiqte në dinamikë shëndetin e tij jo vetëm për diabetin, por edhe për zemrën, tensionin etj. Pas procedurave të rastit, u zgjidh dhe kjo çështje. Që prej asaj kohe situata me shëndetin e Enverit ndiqej nga mjeku personal. Ndërkaq, herë pas here vinin dhe mjekë të tjerë për konsulta të ndryshme. Unë thirresha vazhdimisht sidomos për problemet e diabetit. Më bënte përshtypje sjellja korrekte e Enverit me mjekët dhe zbatimi i këshillave të tyre, sidomos për sëmundjen e sheqerit, prej së cilës vuajti për dekada me radhë. Ai si një diabetik 40-vjeçar e zbatoi dietën me një disiplinë rigoroze. Rekomandimet e tjera për lëvizje sportive e shëtitje, shumë herë i shpërfilli…

Infarkti i Enverit në 1973

Ishte fundi i vitit 1973. Në atë periudhë Enveri jetonte në një vilë afër Pallatit të Brigadave, pasi në shtëpinë e tij bëheshin ndërtime për ta zgjeruar. Papritur kishte pësuar një krizë në zemër. Më lajmëruan dhe shkova menjëherë. Aty u takova me dy kardiologët dhe mjekun personal. Bashkë me ta morëm masat e urgjencës mjekësore. Ishte vënë në dijeni shoku Hysni (nuk e di nga shoqja Nexhmije apo Sulo Gradeci). Ai na gjeti duke bërë mjekimet e rastit dhe qëndroi në dhomën në krahë. Më thirri i shqetësuar dhe më pyeti si paraqitej gjendja. I shpjegova mendimin e përbashkët të ekipit mjekësor, terapinë që kishim vendosur bashkërisht, por i thashë se evolucioni i sëmundjes nuk mund të parashikohej momentalisht, aq më tepër që mosha e diabeti në këtë rast ishin faktorë rëndues për të sëmurin. “Mos duhet të lajmërojmë ndonjë kardiolog të huaj?”, më pyeti Hysniu. “Po të jetë për një profesor të specializuar për zemrën, kjo do të ishte një ndihmë e madhe”, iu përgjigja. Si ndenji dhe pak, Hysniu u largua. Ai vinte disa herë në ditë dhe interesohej nga afër për gjendjen e Enverit. Në ditën e tretë më tha se ishte vendosur të vinte një ekip kinez me tre kardiologë dhe një diabetolog. Në pasdite ata nisën nga vizita. Ekipi i tyre drejtohej  nga profesor Çini, i cili kishte ardhur dhe herë të tjera për kontrolle periodike të udhëheqësve në klinikë. Ai kishte vizituar më parë edhe Enverin. Ishte mjek diabetolog, me njohuri të kulturës mjekësore të përgjithshme. E vumë në dijeni nëpërmjet përkthyesit që kishin sjellë me vete me anamnezën, gjendjen klinike të pacientit dhe aty për aty i treguam elektrokardiogramet e printuara, analizat e bëra periodikisht dhe masat e reanimacionit. Anëtarët e ekipit tonë hanin dhe flinin në një godinë afër vilës, duke lënë dy vetë roje prapa portës sëEnverit dhe një ndihmësmjek te koka e pacientit. Nëpërmjet monitorit të vendosur jashtë derës së të sëmurit, kontrollonim vazhdimisht të rrahurat e zemrës dhe ritmin e saj. Kur diçka nuk shkonte mirë dhe të rrahurat shtoheshin, zgjohej gjithë ekipi dhe kolegjialisht vendosnim për masat që duheshin marrë. Shefi i ekipit kinez konsultohej herë pas here me një mjek kardiolog,që siç mësuam kishte mbaruar studimet dhe specializimin në Amerikë.

Kinezi që kishte mjekuar Kim Ir Senin

Kardiologu që kishte ardhur me grupin e mjekëve kinezë në ndihmë të ekipit shqiptar, thoshin se ishte mjeku personal i Çu En Lait. Madje flitej se kishte marrë famë kur kishte shpëtuar Km Ir Senin nga një diagnozë shumë e rëndë. Kjo na ngrohte disi, por kur e pamë si operonte gjatë vizitave e konsultave, filluam të dyshojmë tek aftësitë e tij. Mënyra konfuze e mjekëve kinezë, shpeshherë na revoltonte, por rrethanat ishin kritike e duhej t’i duronim. Ata për çdo mendim e propozim mblidheshin veçmas e debatonin në gjuhën kineze për momente të tëra. Se çfarë diskutohej në takimin e tyre, nuk merrej vesh. Vetëm kur dilnin nga dhoma e konsultës, konkluzionet na i prezantonte kryetari i ekipit, që ishte më i moshuari ndër ta. Vazhduan kështu për seanca të tëra, me mbledhje të gjata, duke u bërë të padurueshëm. Në një moment kardiologu i tyre, ai që ishte bërë i njohur me mjekimin e Kim Ir Senit, propozoi që pacientit t’i bënim injektim me natrium hipertonik. Pra, t’i injektonim një solucion me kripëra minerale. Sa e dëgjova, u çudita, pasi më dukej marrëzi që një të sëmuri nga zemra, të ushqyer rregullisht, t’i shtonim lëngje në organizëm. Të njëjtin mendim patën dhe kolegët e tjerë shqiptarë. Sidoqoftë, pasi biseduam bashkërisht, ramë disi në ujdi dhe vendosëm të zbatojmë formulën e kinezëve. Mirëpo ndodhi që menjëherë pas këtij intervenimi shëndeti i Enverit kaloi një krizë në formën e një edeme pulmonare të rëndë, si pasojë e së cilës ai me zor merrte frymë. I vendosëm menjëherë oksigjenin dhe u mblodhëm në konsultë. Aty vendosëm unanimisht të ndërprisnim injektimin me solucionin e natriumit hipertonik. Ky vendim i mjekëve shqiptarë ngjalli shumë reaksion tek ekipi kinez, sidomos te kardiologu kryesor i tyre. Pas kësaj, situata shëndetësore erdhi duke u përmirësuar. Na preokuponte vetëm gjendja e infarktit, e cila ende nuk po stabilizohej. Nga debatet e nxehta me kardiologun kinez, ai u zemërua dhe nuk erdhi më në konsultë. Shkoi dhe u mbyll në vilë, ku banonte dhe nuk doli më që aty. Kolegët e tij na thanë se kishte kaluar një goditje nervore dhe mjekohej me barna për gjumë dhe qetësi. Pas disa ditësh morëm vesh se u nis për në Kinë. Pak ditë pas tij u larguan dhe mjekët e tjerë, duke e lënë Enverin akoma në gjendje të pastabilizuar. Teksa po largoheshin, ata na thanë se kishin shumë punë në Pekin. Ne vazhduam ta mjekonim vetë derisa gjendja  u përmirësua dhe Enveri shkoi në shtëpinë e tij gjithë qejf e gjallëri. E këshilluam të rrinte nja dy muaj në qetësi në Durrës ose në Pogradec, por nuk pranoi duke na thënë se do të shkonte kur të vinte vera. Me këtë rast, i gjithë ekipi mjekësor u falënderua nga KQ. Unë dhe ndihmësmjekja Kostandina Nauni u dekoruam nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratën e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Ndërkaq, kolegët e tjerë u dekoruan me të tjera dekorata. Sidoqoftë, nga ky infarkt Enveri u dëmtua shumë. Mjaft herë, pas lodhjeve të shumta, kalonte kriza në zemër. Duke vlerësuar këtë situatë, KQ urdhëroi të forcohej ekipi mjekësor dhe në shtëpinë e tij të rrinin në gatishmëri dy kardiologë. Në raste të keqësimit të gjendjes shëndetësore të mblidhej gjithë ekipi. (Sipas rregullit të ri, secili nga ne duhej të linte adresën ku ndodhej për çdo moment dhe në rast urgjence duhej të paraqiteshim për katër minuta pranë pacientit.) Shumë herë flinim të gjithë në një dhomë afër shtëpisë së tij. Kur dilte nga gjendja e rëndë e urgjencës, unë i lutesha të na lejonte t’i bënim kontrolle të rregullta, por ai thoshte kur ta shikonte të nevojshme…

Përplasja me mjekun sovjetik në 53

Aty nga viti 1953 në klinikën speciale kishin sjellë një mjek sovjetik. E quanin Tollupov dhe ishte rreth 50 vjeç. Me sa më kishte thënë gjatë kontakteve jashtë klinikës ishte me origjinë çifute. Asokohe nuk isha pjesë e klinikës, por përgjigjesha vetëm për familjen e Enverit (nënën, babain dhe dy motrat). Në disa raste, kur sëmureshin fëmijët(Iliri, Sokoli dhe Pranvera) edhe pse nuk isha pediatër, më thërrisnin për ti vizituar, gjithmonë në kuadrin e një mirëbesimi nga vet Enveri. Tani të kthehemi te historia e Mehmetit dhe mjekut sovjetik Tollupov. Një ditë kryeministri kishte pasur një dhimbje të fortë abdominale. Tollupovi e kishte gjykuar për një kolicistit. I kishte bërë një morfinë dhe I kishte vendosur një borsë me ujë të nxehtë. Dhimbja ishte topitur dhe pacienti kishte rë në gjumë për 24 orë. Dita tjetër kishte kalaur me pak dhimbje abdominale të përsëritura dhe me të vjella. Mjeku sovjetik I kishte filluar penicilinë. Ditën e katërt u shfaqën shenjat e  një peritonitis difuz. Menjëherë u thirr një konsultë e gjërë ku morën pjesë dr. Petro Cani, dr. Fredi Paparisto, dr Aleko Bozgo, dr.Ibrahim Dervishi dhe mjeku sovjetik Tollupovi. Më thoirrën aty dhe mua. I gjeta të gjithë rreth një tavoline të madhe ku drejtonte pyetjet Fiqiretja e cila interesohej për diagnozën dhe çfarë duhej bërë më tej. Të gjithë pak a shumë konfirmuan diagnozën: Peritonit difuz I maskuar nga pushimi I dhimbjes nga morfina. Unanimisht u vendos ndërhyja urgjente. Në moment shkuam në spitalin e kirurgjisë. E futëm pacientin në sallë. Pas tij u futën aty kirurgët bashkë me mjekun sovjetik. Unë mbeta jashtë me shpurën e sigurimsëve. Nuk më lanë të hyja. Ndoshta nga që nuk isha anëtar partie. Vura re se përveç mjekëve në sallën e operacionit u fut edhe Mihallaq Ziçishti, një veprim ky jashtë rregullave spitalore për raste të tilla. Kur e pashë që më konsideronin të tepërt, u largova për në shtëpi dhe nuk pyeta më. Të nesërmen mora vesh se mjekun sovjetik e kishin nisur urgjent për në Moskë, pasi nuk kishte përcaktuar diagnozën dhe nuk kishte konstatuar bronkopnoumeninë te Mehmeti. Prej kësaj të fundit Mehmeti vuajti dhe disa kohë dhe u stabilizua. Gjatë konsultave që I bënin nuk më thirrën asnjëherë. Gjithësesi Mehmeti kishte një shëndet të fortë. Çdo mëngjes bënte gjimnastikë në dhomën e tij me një biçikletë të fiksuar dhe me një kalë prej druri gati një metër e gjysmë të lartë. Një mëngjes më tha se kishte 6 vjet që bënte 15 kilometra në ditë ecje me biçikletë. “Po të mbledhësh shumën e ditëve që kam bërë me biçikletë më dhomë, saktësoi ai, del se kam përshkruar rrugën nga Tirana në Moskë e kthim. Çdo të shtunë pas dite ai shkonte për gjah me rojet e tij ku merrte me vete dhe dr. Hajro Shytin. Më shpesh shkonte për derra të egër në zonën e Elbasanit ose Librazhdit. Preferonte gjithashtu malësitë e Vlorës. Kishte qejf t’ia sillnin gjahun në pritë e ta vriste vet, megjithëse nuk e hante fare mishin e derrit. Ia kishin mbushur mendjen në Bashkimin Sovjetik që mos ta përdorte fare mishin e derrit, madje edhe kur ai ishte pa dhjamë…

 Fejzi Hoxha, mjeku i udhëheqjes

Fejzi Hoxha ka lindur në Gjirokastër më 25 mars 1909. Studioi në liceun e Korçës ku u formua si intelektual dhe patriot. Këtu u njoh nga afër me Enver Hoxhën. Ishte një vit më i vogël se ai. Në 1931 ai e regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Bolonjës. I përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Bolonjë, me bursë të komandës ushtarake. Gjatë gjithë jetës punoi si mjek dhe kishte titujt doktor e profesor. Fejzi Hoxha është themeluesi i degëve të reja të patologjisë. Më vonë ai do të bëhej ekspert i diabetologjisë. Është pikërisht ai që e zbuloi diabetin e Enver Hoxhës. Drejtoi të gjitha konsultat e udhëheqjes. Ai është i pari mjek shqiptar që hodhi idenë e jonizimit të kripës. Nga viti 1948 do të bëhej mjeku personal i Enver Hoxhës derisa ky i fundit u nda nga jeta. Ka qenë gjithashtu deputet pa ndërprerje që nga viti 1958 deri në 1990, rreth 32 vjet. Profesor Fejzi Hoxha vdiq më 25 maj 1992, por ai do të kujtohet si humanist, pedagog, shkencëtar dhe personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit