Wednesday, July 9, 2025
spot_img

Nga bullizmi te masakra: Fantazma e Artur A. që tronditi Austrinë!

Shokët e tij të klasës, nuk janë kthyer më kurrë në bankat e shkollës. Që nga dita kur lanë gjimnazin e Dreierschützengasse tre vite më parë, jetët e tyre morën drejtime të ndryshme, siç ndodh me dhjetëra nxënës çdo vit. Por Artur A., i cilësuar dje si vrasësi më i egër në historinë e Republikës së Dytë të Austrisë, duket se nuk e kishte braktisur kurrë atë klasë, të paktën me mendje.

Sipas të dhënave paraprake, masakra që ndodhi dje nisi pikërisht aty: në klasën ku Artur kishte ndjekur dy vite të gjimnazit, pa e përfunduar asnjëherë. Mediat dhe rrjetet sociale janë mbushur me spekulime, të cilat policia premton t’i hetojë me kujdes. Njëra prej tyre është se Artur kishte qenë viktimë e bullizmit gjatë asaj periudhe. Kjo mund të ketë qenë arsyeja që ai, në moshën 21-vjeçare, vendosi të “hakmerrej”.

Hetimet e para nuk zbulojnë ndonjë motiv ideologjik pas këtij akti. Policia ka konfiskuar telefonin dhe kompjuterin e tij, ndërsa në dhomën e tij në periferi të Grazit është gjetur një letër lamtumire për prindërit, por pa ndonjë shpjegim shtesë për veprimin tragjik.

E përditshmja austriake Der Standard e përshkruan si një “fantazmë”: pa rrjete sociale, pa precedentë penalë, i panjohur për autoritetet përveç faktit që kishte ndjekur një kurs në qendrën lokale të punësimit dhe që kishte marrë lejen për të mbajtur armë. Glock-un dhe pushkën i kishte blerë së fundmi, pasi kishte kaluar me lehtësi testet për lejen e armës, një procedurë që në Austri nuk zgjat më shumë se dy-tre orë, dhe që sot vihet në dyshim nëse është vërtet pengesë për individë të rrezikshëm.

Ky rast hedh sërish dritë mbi një fenomen gjithnjë e më shqetësues: shtëna me armë në shkolla, një model që mendohej si tipik amerikan, por që po shfaqet gjithnjë e më shumë në Europë. Përveç aksesit të lehtë në armë, në shumicën e rasteve përmendet edhe bullizmi si një faktor kyç, ndonëse ekspertët, veçanërisht ata amerikanë, ndahen në mendime: disa e shohin si shkaktar të drejtpërdrejtë, të tjerë si një komponent brenda një tabloje më komplekse që përfshin edhe probleme të paidentifikuara mendore.

Një tjetër element i përsëritur në këto akte është vetëvrasja e autorit. Për shumë analistë, sulmi është një mënyrë për t’i dhënë fund jetës, qoftë me dorën e vet, qoftë përmes ndërhyrjes së forcave të rendit. Kjo duket të jetë edhe rasti i Artur A., që doli nga shtëpia herët në mëngjes, pasi kishte lënë letrën e lamtumirës në tavolinë.

“Ky njeri ndoshta ishte pjesë e një fati të pashmangshëm”, u tha dje gjatë një meshe përkujtimore në kishën Sankt Vinzenz të Grazit. “Ndoshta përmbushi një plan të errët.” A ishte kjo një histori fati, hakmarrjeje apo çmendurie? Janë hetimet që do të duhet të zbulojnë se çfarë i vuri armën në dorë Artur A.-s.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit