Thashethemet për vdekjen e afërt të Papa Françeskut, dorëheqjen apo edhe një konklavë të re kishin filluar të qarkullonin në Vatikan. Raportet sugjeruan se shtrimi në spital i Papa Françeskut nënkuptonte se udhëheqjes së tij po i afrohej fundit. Analistët komentuan për vazhdimësi të mundshme, ndërsa në media qarkullonin skenarët e ditës së nesërme në Selinë e Shenjtë.
Siç shkruan Washington Post, brenda Kishës Katolike, kishte një atmosferë pritjeje dhe trazirash. Disa besonin se Françesku 88-vjeçar, i cili prej vitesh po lufton me probleme serioze të frymëmarrjes, nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndiqte shembullin e paraardhësit të tij, Benediktit XVI, dhe të jepte dorëheqjen.
Benedikti e bëri njoftimin e tij historik të dorëheqjes në shkurt 2013 në një takim rutinë për të caktuar datat e kanonizimit. Kur Vatikani njoftoi se Françesku kishte mbledhur një takim të ngjashëm, shumë e interpretuan masën si një tregues se ai synonte të bënte të njëjtën gjë.
Papa dëshmoi në praktikë se kishte plane të tjera. Ai nuk dha dorëheqjen. Ai nuk dha sinjalin për një konklavë të re. Ai bëri pikërisht të kundërtën: mori masa dhe njoftoi një sërë reformash, që vërtetojnë se ai është ende udhëheqësi absolut i Kishës Katolike.
Ndërsa vëmendja e mediave u përqendrua te shëndeti i tij, Papa vazhdoi të drejtonte. Nga spitali, ai nënshkroi një nga reformat më të rëndësishme financiare të mandatit të tij: krijimin e Komisionit të donacioneve pro Sancta Sede, një nismë që synon transparencën dhe menaxhimin më të mirë të financave të Selisë së Shenjtë.
Associated Press raporton se ky vendim erdhi në një moment kritik për Vatikanin, i cili po përballet me probleme serioze financiare për shkak të keqmenaxhimit, skandaleve dhe investimeve të dështuara. Një nga goditjet më të mëdha për financat e Kishës ishte çështja Peter’s Pence, ku paratë nga donacionet e besimtarëve, të cilat supozohej të shkonin për bamirësi, përfunduan duke u përdorur në investime me rrezik të lartë, duke përfshirë blerjen e diskutueshme të një prone luksoze në Londër.
CruxNow konfirmon se humbja e rreth 200 milionë eurove nga këto investime shkaktuan një reagim masiv nga besimtarët, të cilët ulën donacionet e tyre, nga frika se paratë e tyre nuk po përdoreshin për qëllimet e premtuara nga Vatikani.
Papa Françesku, duke dashur të rivendosë besimin dhe të rregullojë financat e Vatikanit, emëroi Imzot Roberto Campisi në krye të komisionit të ri, i cili synon:
Transparencë në menaxhimin e donacioneve dhe për të siguruar që fondet të shkojnë atje ku janë realisht të nevojshme.
Krijimin e strategjive të reja për mbledhjen e fondeve, duke tërhequr më shumë donacione nga dioqeza, bamirësi dhe subjekte biznesi.
Kontrollin e financave të Selisë së Shenjtë me mekanizma më të rreptë të llogaridhënies.
Siç konsttaon CruxNow, kjo reformë nuk erdhi rastësisht. Ajo është pjesë e një strategjie më të gjerë, e cila përfshin gjithashtu:
Uljen e pagave për kardinalët dhe zyrtarët e lartë.
Ngrirjen e punësimeve të reja në Vatikan për të ulur kostot operative.
Forcimin e pranisë së grave në pozitat e pushtetit, si prsh, dhënia e më shumë përgjegjësive të rëndësishme për murgeshën Raffaella Petrini.
Këto lëvizje tregojnë se Françesku, pavarësisht problemeve me shëndetin e tij, mbetet i palëkundur në përpjekjet për të sjellë ndryshime që do të formësojnë të ardhmen e Kishës Katolike Romake.
Në të njëjtën kohë, morali i Papës mbetet i lartë, i përforcuar nga mbështetja ndërkombëtare. Ëashington Post raporton se sheshi i Shën Pjetrit shndërrohet çdo natë në një vend lutjeje, ku besimtarët mblidhen duke kërkuar shërimin e shpejtë të Francceskut.
I njëjti burim raporton një skenë lëvizëse jashtë spitalit Gemelli, ku muzikantët luanin Ave Maria nën dritaren e Papës, në një shfaqje shprese dhe mbështetjeje.
Ndërsa zërat për dorëheqje apo përkeqësim të shëndetit vazhdonin, Françesku dha një përgjigje të qartë: nuk do largohet, nuk do ndalet, nuk do e lërë Vatikanin të lëkundet financiarisht. Reformat e tij të fundit tregojnë se ai jo vetëm që po mbetet aktiv, por gjithashtu po përgatit terrenin për një Vatikan më të fortë dhe më transparent.
Siç thekson CruxNow, këto reforma mund të rezultojnë të jenë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë papnore të Françeskut.