Kombëtarja shqiptare do të përballet nesër në orën 20:45 me Anglinë në “Wembley” për ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Në këtë ndeshje, kuqezinjtë shkojnë për të thyer tabunë, pasi në të gjitha përballjet me Anglinë numërojnë vetëm humbje.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Silvinjo u dha përgjigjeve pyetjeve të ndryshme të gazetarëve.
Tekniku brazilian tha se Shqipëria duhet të ‘luftojë’ në fushë për çdo top, pasi vetëm kështu mund ta përballojë Anglinë, pasi nuk mund të përballen me ta ‘kokë më kokë’ për shkak të cilësive.
Silvinjo shtoi se kuqezinjtë duhet të luftojnë për çdo pikë për t’ia arritur objektivit.
-Që në fillim ky grumbullim ka nisur me probleme në mbrojtje. Sa të vështirë e bën, duke ditur që përballemi me një nga ekipet me sulmin më të mirë në Europë?
Kemi pasur disa probleme me Ismajlin dhe Kumbullën gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit që do të vlerësojmë lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do marrim një vendim.
-Koha e përgatitjes e vogël, a mjafton për të përballuar Anglinë?
Do të jetë e vështirë, por dhe e këndshme. E vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur. E kemi diskutuar dhe mes trajnerësh në FIFA, sa e vështirë është. Mos harrojmë që kemi ndeshje dhe ndaj Andorrës. Do jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë. Kemi përdorur video, diskutime me lojtarët, ato vijnë të lodhur duke qenë se kanë sezone të gjata. Nesër do vendosim për titullarët.
-Tuhel e njihni, sa ndryshon tani si përballje me kombëtaret?
Futbolli i pabesueshëm. Mund të ndodhë çdo gjë. Kemi studiuar Tuhel dhe futbollin anglez. E dimë si luan. Janë 90 minuta të gjata, për t’u shijuar dhe për të marrë përgjegjësi. Jemi të përqendruar dhe të përgatitur.
-Do të ndryshoni diçka nga skema?
Tuhel i mirë, i ri dhe fitues me shumë energji. Nuk ka rëndësi si do luajmë. Ata janë ekip i fortë, me shumë cilësi fizike dhe teknike. Luajnë mirë 1 kundër 1. Do tentojmë për diçka të veçantë. Kemi punuar në aspektin difensiv dhe ofensiv. Ndeshja e parë është sfiduese dhe e vështirë.
-Futbolli anglez?
Kam luajtur në Angli. E kuptojmë ritmin e lartë që ka kampionati. E vështirë, luhet në nivele shumë të larta. Ekipi kombëtar ka ekip me shumë cilësi, duhet të tentojmë të punojmë me sulmin tonë. Duhet të krijosh një strategji me Anglinë sepse ritmi është i ndryshëm. Kemi komunikuar me lojtarët, kemi përdorur video dhe jemi përgatitur për 90 minutat nesër.
-Ljuis-Skelli, si të duket?
Është lojtar i mirë, mendoj me të ardhme. Kënaqësi kur shikon lojtarë të rinj që luajnë. Dua të uroj Artetën, e shijoj futbollin që ata bëjnë.
-A do të jetë Silvinjo si Kristofor Kolombi dhe të zbulojë Amerikën?
Mendoj se nuk ka më kohë për konferencën (qesh). Duhet të punojmë shumë. Ka vetëm një rrugë, duhet të luftojmë për çdo pikë. Kemi lojtarë të mirë. Të luftojmë që të ecim përpara.
-Ka histori të shumta për agonitë e tifozëve anglezë, që presin ekipin e tyre të fitojë diçka. Çfarë mendoni se i mungon Anglisë?
E respektoj ekipin anglez, më kujtohet në vitin 2000-2001 një ndeshje mes Brazilit dhe Anglisë, atmosferë fantastike. I ka munguar performancë e mirë në finale, por kemi para performanca të mira në Europian dhe Botëror. Futbolli është i tillë. Keni lojtarë shumë të mirë dhe perspektivë për të fituar.