Tuesday, May 6, 2025
spot_img

Në Shqipëri po rilindë sërish demokracia në krye me prof. dr. Sali Berishën

Intervistë me Dr. Nikollë Shabanin, nga Ulqini me banim në Gjermani

Kësaj radhe Dibra dhe mbarë dibranët janë bastion i demokracisë

Kështu tha Dr. Nikollë Shabani, kryetar i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim (BISHM) me seli në Gjermani në intervistën që zhvilluam me të lidhur me fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Intervistoj: Rexhep Elezaj                            Dr. Jur Nikollë  Shabani

Pyetje: Si e vlerësoni rrjedhën e fushatës zgjedhore në Shqipëri dhe sa janë gjasat që PD-ja në krye me Prof. Dr. Sali Berishën t’i fitojë zgjedhjet me 11 maj ?

Dr. Nikollë Shabani: Fushata zgjedhore në Shqipëri kësaj here ka marrë një kahje të re, sepse e djathta shqiptare është bashkuar si asnjëherë më parë, dhe Prof. Dr. Sali Berisha kësaj radhe kryeson jo vetëm Partin Demokratike, por edhe koalicionin e 26 partive të cilat duan ta marrin timonin e Shqipërisë në duart e veta. Me këtë koalicion Dr. Berisha e ka fituar besimin e mbarë potencialit kombëtarë shqiptarë, andaj  beteja kryesore i mbetet që t’i çlirojë ata votues të cilët u viktimizuan nga korrupsioni dhe që u morën peng për t’u punësuar dhe mbijetuar.

Është për çdo respekt angazhimi i Prof. Dr. S. Berishës që po bënë për të mirën e tërë popullit shqiptar, duke u sakrifikuar në pleqërinë e tij për shpëtimin e popullit të vetë nga ideologjia moniste, dhe dhashtë Zoti që të jetë kjo beteja e fundit e tij me këtë përkushtim. Mendoj se kësaj radhe do jetë më vështirë për te sesa dy herët e kaluara, por me shpalosjen e platformës së re demokrate në Dibër, me 19.04.2025, ma kujtoj Dibrën e Rilindasëve tanë në vitet e pavarësisë, Dibrën e Sait Najdenit (Hoxhe Voka), At Dom Nikollë Kaçorrit, Atit Ortodox Josif Bagerit, Dervish Himës, Elez Isufit Ndreu, Murat Kaloshi, Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), Hafiz Sherif Langut, Izet Dibrës, Ibrahim Temos e shumë e shumë të tjerëve, burra të kësaj ane me autoritet kombëtarë, si udhërrëfim për nipërit dhe mbesat e tyre të cilët kanë kandiduar për deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Nga fjalimet e tyre ma kujtuan thënien e kamotshme të Konsullit austriak në Manastir, Ekselenca August Ritter von Kral: “Sytë e gjithë shqiptarëve janë drejtuar kah Dibra, dhe në të vërtetë këtu gjendet pika e gravitetit të situatës në Shqipëri”, i cili në atë kohë veçoj faktin se Konferenca e Londrës i futi thikë mbas shpine shqiptarëve, derisa sot Dibra mori thikë mbas shpine nga pushteti aktual, duke ja mbyllur Universitetet, duke ja cunguar zhvillimin ekonomik etj. Populli i Dibrës në mënyrë të veçantë e ka mbështetur shpresën e tij në Doktor Berishën, duke e pritur në hyrje të qytetit me kilometra në radhë, dhe ky është një mesazh shumë shpresëdhënës nga Dibra për tërë demokracinë e shqiptareve, siç u mund dikur enverizmi diktatorial nga Shkodra.

Pyetje: Pse ju si intelektualë në mërgatë e keni përkrahur gati gjithherë të djathtën, gjegjësisht Partinë Demokratike të Shqipërisë ?

Dr. Nikollë Shabani: Për arsye se në Shqipëri asnjëherë nuk e kishim një të Majtë të mirëfilltë, dhe se ne si veprimtarë atdhetarë, intelektualë neutralë ndaj partive politike shqiptare, nuk kemi mundur me përkrahur ideologji të ardhura nga Rusia, në fakt e kemi përkrahur rrëzimin e sistemit monist-komunist në Shqipëri, ngase ai sistem ishte diktatorial i cili shtetit tonë amë i solli dëme tepër të mëdha për afër 50 vite, duke e shkëputur Shqipërinë nga demokracitë perëndimore. Prandaj PD-në e kemi parë si subjekt politik që ndërton demokracinë në vend me koncepte pro-perëndimore, siç edhe ka ndodhur kur gjatë qeverisjes së Prof. Dr. Sali Berishës Shqipëria me 1 prill 2009 u bë anëtare e NATO-s derisa anëtarësimi në BE është plan primarë i koalicionit demokratik, “Shqipëria madhështore“.

Pyetje: A do të thotë kjo se Partia Socialiste (PS) është më pak pro-perëndimore, madje edhe më pak nacionaliste sesa PD-ja ?

Dr. Nikollë Shabani: Partia Socialiste ka po ashtu patriotë në radhët e saj, por roli i saj veçanërisht në mandatin e fundit për t’i mbrojtur Kullakët komunist devijuan nga platforma e saj socialiste për ta ndërtuar një shoqëri sociale të mirëqenë në Shqipëri. Profilizimi partiak si masë që saktëson përgjegjësinë vazhdon të mungon në Shqipëri, gjë të cilën tentuan ta bëjnë socialdemokratët, por nuk ia dolën, ndaj socialistët duhet t’i mbesin besnik profilizimit të tyre statusor. Ndoshta një subjekt politik social-liberal mund t’i plotësojë zbraztësitë e mbrojtjes të parimit social pa elemente të ish komunizmit, sidomos pa ato të cilët mburren se i kishin etërit në anën e vërtetë të historisë.

Pastaj, ne mërgimtarët në fund të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21 jemi gdhendur si pionerë të UÇK-së – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe çdo hap i pamatur nga Tirana zyrtare në bashkëpunim me Serbinë, qoftë “Ballkani i Hapur”, apo këmbimi i territoreve Kosovë-Serbi (2017), na ka bërë që ta humbin simpatinë ndaj tyre, te cilët si pushtetarë shqiptarë ndërmorën hapa të tillë të bashkëpunimit me Serbinë armike. Ne shqiptarët ende i kemi plagët e hapura nga krimet dhe gjenocidi serb i bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitet 1998/99. Pardje me 18.04.2025 u mbushën 25 vite kur në Mal të Zi vendi “Kaludjerski Laz” në afërsi të Rozhajës, ushtria paramilitare serbo/malazeze vrau dhe masakrojë civilët e pafajshëm shqiptarë nga Kosova, ku më i riu ishte Labinot Bekë Kastrati 13 vjeç, dhe ende deri sot nuk u dënua askush për këtë krim, dhe as shteti serb ende nuk ka kërkuar falje për këto krime. Për fat të keq, qeveria shqiptare në Tiranë ka vite që po flirton me Beogradin, dhe kjo na e kujton krushqinë e komunistëve shqiptarë me Milladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, etj., kjo na e kujton edhe masakrën e Tivarit, dhe në fund na bënë skeptik për integrimin tonë në familjen evropiane, ku ne shqiptarët jemi të parët që i kemi vu themelet kulturës evropiane, ku veprat shekullore dhe antike shqiptare janë më të lashtat në Evropë. Në kohën kur Beogradi është dora më besnike e Rusisë në rajon, Tirana zyrtare nën qeverinë aktuale po i hapë vakuum kësaj rryme në Shqipëri, duke kurdisur plane të bashkëpunimit me Serbinë, dhe ky qëndrim paradoksal i jep shqetësim çdo shqiptari për të ardhmen tonë në BE.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është foleja amë e çdo shqiptari në botë, derisa këto ditë Ulqini po rënkon nga halli, okupimi ekonomik të cilit duan t’i marrin tokën-plazhin e Shtojit 12 km pa i pyetur pronarët e saj. Me një kontratë për 99 vjet, ka gjasa që mbas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do iu hapet rruga ish kriminelëve të luftës së fundit në ish Jugosllavi dhe Kosovë, të cilët për qëllim kanë futjen e kapitalit të tyre në investim uzurpues të tokave shqiptare. Zëri i Tiranës zyrtare duhet të dëgjohet urgjentisht, por aktualisht gjasat janë të dobëta që nga andaj të vijnë reagime zyrtare.

Pyetje: Pra, ju mendoni se ardhja në pushtet e PD-së në vitin 1990 ishte shpëtim për Shqipërinë në atë kohë, ndërsa ardhja e saj sot në pushtet a mund ta nxjerr Shqipërinë nga korrupsioni ?

Dr. Nikollë Shabani: Po, korrigjimet janë gjithmonë frytdhënëse dhe të mundshme. Njëkohësisht është e vërtetë se ardhja e PD-së në pushtet në vitin 1990-të në krye me Prof. Dr. Sali Berishën, Pjetër Arborin, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Besnik Mustafain, Ali Spahiun, Aleksander Meksin, si dhe shumë figura tjera të përsekutuara nga regjimi ish komunist, ishte një fitore e madhe e mendimit dhe fjalës së lirë në Shqipëri, sepse këto figura ishin truri dhe ajka e inteligjencës kombëtare, e cila popullit shqiptar i solli lirinë, demokracinë si dhe mirëqenien sociale dhe ekonomike, një vendi të shkatërruar dhe të izoluar nga tëre bota. Pra, në Shqipëri erdhi në pushtet klasa intelektuale dhe më patriotike, e cila madje i rriti shpresat dhe sigurinë edhe tek shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë e Bujanovc dhe Çamëri, për një mbështetje më të fuqishme të kauzës gjithëkombëtare shqiptare jashtë shtetit amë.

Pyetje: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 11 majit, a besoni se PD-ja në krye me Prof. Dr. Sali Berishën do t’i fitojnë shumicën e votave ?

Dr. Nikollë Shabani: Pres që procesi zgjedhor në Shqipëri të rrjedhë i qetë, në frymën demokratik dhe pa ndonjë parregullsi ligjore dhe keqpërdorim të votave dhe duke marrë parasysh se Dr. Sali Berisha gjithmonë u ka qëndruar pranë zëmrave të popullit shqiptar, se ka qenë figurë e pranuar brenda Shqipërisë, por edhe në arenën ndërkombëtare, i cili e ka vlerësuar lartë Nënë Terezën, Papa Gjon Palin e dytë, dekoroi me merita të veçanta të torturuarit në komunizëm të cilët u flijuan për atdhe dhe fe, ku me rënien e sistemit komunist-monist i ktheu identitetin shqiptarisë, dhe këto ndryshime demokratike reflektuan pozitivisht edhe në trevat mbarëkombëtare, siç edhe u trasua rruga për pavarësinë e Kosovës.

Shfrytëzoj rastin ta falënderoj Doktor Berishën për sakrificën e tij që po e bënë në këtë moshë për t’i siguruar brezave të ardhshme ditë më të mira në demokraci, duke bëtë përpjekje që Shqipërinë ta pastrojë nga krimi dhe hajnia, që t’ia kthejë shqiptarisë besën dhe nderin.

Ne si komb i vogël në Evropë, nuk e kemi luksin që të humbim asnjë shqiptar, por është e udhës që secili nga ne t’i tregojmë botës vlerat shqiptare, me të cilat jemi mburrur dhe krenuar gjatë gjithë shekujve. 

Me këtë rast, i uroj gjithë shqiptarët që e festojnë Ditën e  Pashkëve, sot me 20.04 2025,  ditën e ringjalljes së Krishtit,  Zoti ju begatoftë me gjithë të mirat siç iu dëshirojnë zemrat tuaja!

Uniteti ynë kombëtar mbi të gjitha, rroftë Shqipnija, rroftë kombi shqiptar !

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit