Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të nëntë shkurtit, të cilat u miratuan më 10 vota për më shumë se një muaj pas zhvillimit të këtij procesi.
Kryetari i KQZ-se ka arsyetuar vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare, duke thënë se kjo ndodhi për disa arsye, duke përfshirë këtu ndryshimet e shumta ligjore.
“Vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare janë bërë për disa arsye, njëra ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore që kanë shtuar detyra për KQZ-në.
Arsyeja tjetër lidhet me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me transmetimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në qendrat komunale.
Pra, para publikimit të çdo rezultati, është dashur të bëjmë verifikimet tona duke krahasuar statistikat dhe kjo ka marrë kohë dhe ka zgjatur procesin” – ka thënë Radoniqi.
Megjithatë, sipas tij, këto problem nuk kanë pasur ndikim në rezultatin e procesit zgjedhor.
“Rikujtojmë se problemet nuk kanë pasur ndikim në rezultatin e procesit zgjedhor, pasi publikimi ndodhë vetëm kur mbaron numërimi në vendvotime.
Pavarësisht këtyre problemeve, rezultatet që do t’i shpallim sot kanë ndjekur hapat e paraparë ligjor dhe transparencën e plotë” – ka thënë ai gjatë mbledhjes së KQZ-së.