NATO po diskuton për një propozim të mundshëm drejtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një zgjerim të madh të pranisë ushtarake aleate në Arktik.
Qëllimi është të lehtësojë tensionet rreth statusit të Groenlandës si një territor autonom i Danimarkës, një çështje që ka tërhequr vëmendjen për shkak të interesit të Trump për ishullin, i justifikuar me shqetësimet e sigurisë së SHBA.
Sipas burimeve, NATO beson se forcimi i pranisë së saj në Arktik mund të trajtojë këto interesa sigurie duke mundësuar pjesëmarrjen e SHBA-së në iniciativë.
“Shqetësimet e Trump për Groenlandën shihen si të vlefshme”, thonë burimet, ”veçanërisht në dritën e aktiviteteve ruse dhe kineze në rajon”.
Groenlanda ka vlerë të rëndësishme strategjike – jo vetëm për burimet e saj të mëdha natyrore, por edhe si një vend kyç për kontrollin ushtarak të Arktikut.
Ndryshimet klimatike po i bëjnë gjithashtu rrugët e transportit në Arktik më të aksesueshme, veçanërisht në muajt e verës. Sipas burimeve të aleancës, nisma po diskutohet aktualisht në mënyrë joformale.
Zgjerimi i propozuar ushtarak mund të bazohet në planet e mbrojtjes të miratuara në vitin 2023. Dokumentet e klasifikuara përshkruajnë masat për të forcuar aftësitë e parandalimit dhe të mbrojtjes në veriun e largët.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një prani në Groenlandë përmes bazës hapësinore ”Pituffik”, e cila operohet sipas marrëveshjeve me Danimarkën. Kjo bazë luan një rol të madh në sistemet e paralajmërimit të raketave, mbrojtjen nga raketat dhe operacionet e vëzhgimit të hapësirës.
Personeli ushtarak danez është gjithashtu i vendosur në Groenlandë, kryesisht përmes Komandës së Arktikut në Nuuk. Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për kontrollin e SHBA-së mbi ishullin e madh, i cili zyrtarisht i përket Mbretërisë së Danimarkës.
Vërejtjet e tij të fundit kanë ngritur shqetësime midis aleatëve të NATO-s, pasi ai nuk ka përjashtuar përdorimin e mjeteve ekonomike apo ushtarake.
Aleatja e NATO-s, Danimarka këmbëngul që populli i Groenlandës duhet të vendosë vetë për të ardhmen e tij.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka zhvilluar një sërë bisedimesh për krizën me liderë të tjerë evropianë të NATO-s, ndërsa qeveria e Groenlandës e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të mbetet as daneze, as amerikane, por groenlandeze.
Për NATO-n, debati i Groenlandës është veçanërisht delikat. Aleanca rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e saj nëse një anëtar kryesor kërcënon të marrë territor nga një aleat tjetër – veçanërisht në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pretendimeve territoriale të Kinës mbi Tajvanin.
Në të njëjtën kohë, një skenar i rastit më të keq do të ishte një tërheqje e SHBA nga NATO për shkak të mosmarrëveshjes, duke pasur parasysh se parandalimi i aleancës mbështetet shumë në fuqinë ushtarake bërthamore dhe konvencionale të SHBA.
Diplomatët besojnë se suksesi i nismës së NATO-s do të varet nga fakti nëse fokusi kryesor i Trumpit është vërtet në shqetësimet e sigurisë. Nëse interesi i tij për Grenlandën nxitet edhe nga depozitat e lëndës së parë të saj, iniciativa mund të dështojë.