Sunday, May 4, 2025
spot_img

Nacionalizmi serb mund të nisë një luftë tjetër në Evropë

Sot nuk është e lehtë të jesh një udhëheqës i një vendi në Evropë. Uashingtoni, aleati tradicionalisht më i rëndësishëm i Evropës, po i kthen shpinën NATO-s dhe po ndërton lidhje më të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa në shkallë të gjerë për gati të gjitha importet evropiane, duke e vënë në rrezik rritjen ekonomike të kontinentit. Nga ana tjetër, forcat ruse po bëjnë përparime të ngadalta por të qëndrueshme në Ukrainë, duke e kërcënuar sovranitetin e saj.

Në këto kushte, gjëja e fundit që i duhet Evropës është një krizë tjetër. E megjithatë,  njëra prej tyre po vlon pikërisht në mes të kontinentit. Nën udhëheqjen e Milorad Dodik, Republika Srpska – territor i kontrolluar nga serbët – po përpiqet që të shkëputet nga Bosnje Hercegovina.

Dodik, një nacionalist serb dhe pro-rus, ka sabotuar prej një dekade punën e autoriteteve qendrore në Sarajevë. Ai ka ngritur institucione shtetërore paralele dhe nxitur tensionet etnike, duke pretenduar se Republika Srpska duhet të shkëputet nga Bosnja për të mbrojtur popullin serb.

Për t’i dhënë fund këtyre veprimeve, gjykata federale e Bosnjës e ka shkarkuar, e ka dënuar me burg në mungesë, dhe ka shpallur një urdhër-arresti për të. Megjithatë që nga ajo kohë Dodik ka kryer vizita në Izrael, Rusi dhe Serbi.

Kur rikthehet në shtëpi, ai mbrohet nga policia lokale. Nëse Republika Srpska shkëputet nga Bosnja, Evropa mund të jetë sërish në telashe. Sepse gjatë viteve 1992-1995, Bosnja ishte arena e një lufte të përgjakshme midis boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.

Dy grupet e fundit etnike mbështeteshin nga Kroacia dhe Serbia fqinje. Luftimet ishin brutale: vdiqën mijëra njerëz, ndërsa udhëheqësit dhe zyrtarët serbë kryen një gjenocid në Srebrenicë. Konflikti përfundoi vetëm pasi ndërhyrjes së NATO, dhe kur një koalicion ndërkombëtar ndihmoi në krijimin e shtetit aktual boshnjak.

Nëse Bosnje Hercegovina bie si shtet, shumë njerëz kanë frikë nga rikthimi i luftës. Për të parandaluar një katastrofë të mundshme, udhëheqësit evropianë dhe ata amerikanë duhet t’i kushtojnë më shumë burime këtij vendi. Ata duhet të dërgojnë më shumë paqeruajtës për të mbështetur autoritetet boshnjake që kundërshtojnë  shkëputjen e një pjese të vendit.

Duke përdorur pushtetin e jashtëzakonshëm mbikëqyrës që Perëndimi ka ruajtur në Bosnje që nga fundi i luftës, ata do të duhet të ndihmojnë në reformimin e kushtetutës së Bosnjës, në mënyrë që qeveria qendrore e vendit të mos jetë aq e kufizuar sa është aktualisht.

Dhe do t’u duhet të forcojnë institucionet kombëtare të Bosnjës, në mënyrë që zyrtarët e Republika Srpska (apo ata të ndonjë entiteti tjetër), të mos e sfidojnë më qeverinë qendrore. Zyrtarët evropianë mund të ngurrojnë ta bëjnë këtë, duke pasur parasysh angazhimet e tjera emergjente.

Edhe Shtetet e Bashkuara, që po shohin kryesisht interesat e veta, mund të kenë edhe më pak gjasa që të riangazhohen në rajon. Por do të jetë shumë më e lirë dhe më e lehtë, që Dodik dhe mbështetësit e tij rajonalë dhe ndërkombëtarë të ndalen tani, sesa gjatë një konflikti.

Sidomos Evropa, nuk mund të përballojë dot dy luftëra në të njëjtën kohë: në Bosnje dhe Ukrainë. Dodik dhe njerëzit e tij nuk janë të vetëm në përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga Bosnja. Prapa tij qëndron presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Edhe ky një nacionalist që dëshiron të krijojë një “Serbi të Madhe”, përmes bashkimit të Republikës Srpska me Serbinë. Vuçiç e sheh gjithashtu krizën në Bosnje si një dhuratë për shkak të krizës së brendshme politike.

Për muaj të tërë, ai është përballur me protesta të mëdha kundër qeverisë së tij gjithnjë e më autoritare. Duke e mbështetur Dodik dhe nxitur tensionet etnike, ai shpreson të largojë vëmendjen nga çështjet e brendshme dhe të forcojë mbështetjen e tij.

Zëvendësministri i Jashtëm hungarez, Levente Magyar, vizitoi së fundmi Republikën Srpska për të mbështetur Dodik. Hungaria e sheh këtë të fundit si një aleat në përpjekjet e saj për të ndërtuar një koalicion liderësh jo liberalë në Evropë.

Dhe Dodik e ndan me qeverinë e Budapestit qasjen pro-ruse. “Nëse rikthehet lufta në Ballkan, Hungaria nuk do të qëndrojë mënjanë…Ne jemi me ju dhe popullin e Republika Srpska”- tha Magyar. Ndërkohë kryeministri hungarez Viktor Orban, duket i interesuar për ta përshpejtuar një konflikt të tillë.

Nacionalizmi serb mund të nisë një luftë tjetër në

Dodik, Orban dhe Vuçiç /

Ai ka ndërhyrë në mënyrë agresive në punët e brendshme të Bosnjës që nga viti 2020. Madje në shkurt, dërgoi 78 anëtarë të policisë së forcave speciale anti-terror të Hungarisë për stërvitje të përbashkëta stërvitore me policinë e Republikës Srpska.

Por ndoshta askush nuk është më i lumtur për ta mbështetur Dodik sesa Vladimir Putin. Moska ka kohë që synon të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, si për të shkëputur vëmendjen nga Ukraina, por edhe për ta vendosur akoma më shumë nën presion Evropën.

Kremlini e sheh me të drejtë Ballkanin Perëndimor si hallkën më të dobët të zinxhirit në kontinent, me Bosnje Hercegovinën si fushëbetejën qendrore për destabilizimin e sigurisë evropiane dhe pengimin e integrimit euroatlantik.

Ndaj përveç mbështetjes së pakushtëzuar për Republikën Srpska, Putin u takua me Dodik kur ky vizitoi Moskën javën e kaluar. Natyrisht, BE-ja i ka kundërshtuar veprimet e Dodik. Në një deklaratë, u theksua se Dodik po kërcënon rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnjë-Hercegovinës.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një qëndrim të ngjashëm. Muajin e kaluar  Sekretari i Shtetit Marco Rubio, tha se Dodik “po minonte institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe po kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin e saj’.

Por ka ikur koha e fjalëve. Tani është koha e veprimve. Në një periudhë afatshkurtër, kjo do të thotë se Perëndimi duhet t’i ndëshkojë separatistët. Austria dhe Gjermania kanë vendosur tashmë sanksione ndaj Dodik dhe ekipit të tij. Vendet e tjera evropiane duhet të bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërkaq, SHBA-ja duhet të zgjerojë kuadrin ekzistues të sanksioneve. Po ashtu, shtetet perëndimore duhet të zgjerojnë praninë e tyre fizike brenda vendit. Që nga fundi i luftës, Bosnja ka pasur një mision të konsiderueshëm paqeruajtës evropian. Vendet pjesëmarrëse duhet të dërgojnë edhe më shumë trupa. Në këtë mënyrë, ata mund të mbështesin policinë e shtetit boshnjak në arrestimin e Dodik. Paqeruajtësit mund të vendosen në kufirin midis Bosnjës me Serbinë, për të ndaluar përfshirjen e Vuçiç.

Në terma afatgjatë, Perëndimit do t’i duhet të reformojë sistemin politik të Bosnjës. Decentralizimi i pushtetit ka ndihmuar vërtet në ruajtjen e paqes, por e ka lejuar Dodik të paralizojë qeverinë boshnjake, duke e fuqizuar kështu Republikën Srpska.

Pa një qeveri funksionale në Sarajevë, administrata e Dodik ka qenë e lirë të sillet si shtet brenda shtetit, duke grumbulluar mjaftueshëm autoritet për këtë tentativë për grusht shteti. Zyrtarët perëndimorë, duke vepruar përmes Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, mund të ndryshojnë ligjet e Bosnjës për t’u siguruar që me mekanizmin  vetos të mos abuzohet më nga asnjë entitet apo grup etnik.

Njëkohësisht, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë Bosnjën të zhvillojë aftësi më të forta të mbrojtjes dhe sigurisë, derisa ajo të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO.

Shënim: Ismet Fatih Cancar, studiues në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit John Hopkins. Këshilltar i Ministrit të Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës në vitet 2020- 2023.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit