Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka gjasa të mëdha të jetë pa sulmuesin kryesor, Vedat Muriqi për dy ndeshjet që i luan muajin tjetër në kuadër të Ligës së Kombeve.
Muriqi është lënduar të shtunën në stërvitje te Mallorca dhe do t’i mungoj ekipit spanjoll për ndeshjen kampionale kundër Real Betisit që luhet të hënën prej orës 21:00.
Në fakt, te Mallorca nuk do të llogaritin në Muriqin të paktën për tri javët e ardhshme, ndonëse shkalla e lëndimit të tij do të dihet saktë brenda kësaj jave.
Trajneri Jagoba Arrasate ka folur për lëndimin e Muriqit në prag të ndeshjes me Betisin dhe ka shtuar se nuk pret që sulmuesi të jetë në gjendje të luaj për Mallorcan para pushimit që klubet do ta kenë muajin e ardhshëm shkaku i ndeshjeve të kombëtareve.
Ai ka zbuluar se Muriqi ka dëmtim të muskulit dhe se mund të qëndroj jashtë fushës deri në pesë javë, mungesë kjo e madhe jo vetëm për Mallorcan por edhe Kombëtaren e Kosovës.
“Dardanët” muajin tjetër do ti luajnë dy ndeshje në Ligën e Kombeve, ku me 12 tetor përballen me Lituaninë në udhëtim përpara se tri ditë më vonë ta presin Qipron në Prishtinë.
30-vjeçari këtë sezon ka 1 gol e 1 asistim për Mallorcan në La Liga, ndërsa me fanellën e Kosovës ka shënuar dy gola në fitoren e thellë 4:0 ndaj Qipros javë më parë.