Gjatë ditës së enjte, presidentja Vjosa Osmani parashtroi një kërkesë zyrtare ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës 10% që aplikohet ndaj produkteve amerikane. Kjo kërkesë u bë pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili e ka përfshirë Kosovën në mesin e dhjetëra vendeve që kanë marrë masa të ngjashme.
Në një postim në Twitter, Osmani tha: “Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata.”
Kërkesa e Presidentes Osmani ka marrë mbështetje edhe nga zyrtarë të lartë amerikanë. Kongresisti amerikan, Marlin Stutzman, ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës së Presidentes Osmani, duke e quajtur atë “çlirim”. Ai shpërndau postimin e Osmanit në Twitter, duke shprehur mbështetje për këtë hap të rëndësishëm.
Abraham George, kryetar i Partisë Republikane të Qarkut të Tarrantit, e lartësoi veprimin e Osmanit.
“Për një kohë të gjatë, SHBA-ja është marrë si e mirëqenë. Tarifat funksionojnë—ato dëshmojnë forcë. Por kthimi i tarifave të shpallura për kombet që dëshirojnë të punojnë me ne do të përforcojë se këto janë masa të vërteta reciproke.” – ka shkruar në Tëitter ai.
Kreu i Partisë Republikane në Teksas, Matt Rinaldi e ka përshëndetur kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për heqjen e tarifës prej 10% ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-ja
“Rishqyrtimi i tarifave të shpallura për vendet që marrin këtë rrugë mund të ndihmojë shumë për të sinjalizuar se këto janë masa vërtet reciproke dhe për të mbështetur planin e Presidentit në vazhdim.” – ka shkruar Rinaldi në platformën ‘X’.
Keith Self, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ka shpërndarë postimin e Osmani në Tëitter dhe ka thënë se ky është mësim që duhet me ndjek partnerët e tyre evropianë.
“Kjo është një mësim i jashtëzakonshëm në lidership që partnerët tanë evropianë duhet ta marrin parasysh.” – ka shkruar Self.
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane ka vlerësuar thirrjen e presidentes Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës prej 10 për qind.
“E përgëzojmë Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për lidershipin e saj në propozimin e menjëhershëm për të suspenduar tarifat në importet nga SHBA. Kjo nismë është një hap strategjik drejt thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe përafrohet me objektiva më të gjera të politikës së jashtme.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e AARC-së.