Përfundimisht Dhomat e Specializuara për Kosovën nuk kanë lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të marr pjesë në varrimin e babait të tij.
Këtë e kanë konfirmuar vet përmes një deklarate publike, duke thënë se gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo por që aktualisht për shkak të procedurave nuk mund të japin informacione.
Të tilla, sipas Speciales, riklasifikohen për publikun tek kur përfundon vizita, ndërkaq nuk është hedhur poshtë mundësia që kjo t’i lejohet në ditët në vazhdim.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”.
Por, avokati i Thaçit, Luka Misetic ka treguar se kërkesa, Gjykatës iu dorëzua një ditë më parë.
“Një kërkesë është bërë nga z. Thaçi dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. z. Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment tjetër aktualisht”, ka theksuar ai.
Për moslejimin e Thaçit i cili është në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime lufte reagoi edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila tha i shkroi një letër Dhomave të Specializuara, për këtë vendim që sipas saj është i padrejtë.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, edhe monitorues të Speciales e avokat në Kosovë po e cilësojnë vendimin të padrejtë e shkelje e të drejtave të njeriut.
“Gjykata Speciale nuk duhet të i bëjë gabimet që i ka bërë në të kaluarën, ku nuk ka lejuar persona të dyshuar që mbahen në Hagë për të marr pjesë në çështje të aspektit humanitar sic është varrimi i prindit në këtë rast Gjykata do duhej që me një vendim të shpejtë të e lirojë ish presdientin Thaçi në varrimin e babit të tij”, ka theksuar Astrit Kolaj – Hulumtues në IKD.
“Nuk krahasohet kjo Gjykatë me askënd jo që është shkelje e të drejtave të njeriut, por është sjellje shumë e ulët dhe mungesë ndërgjegje e gjyqtarëve, unë them sepse rregullat dhe parimet si dhe konventat ndërkombëtare janë të vendosura edhe në ligjin e Dhomave të Specializuara..”, ka theksuar Xhevdet Smakiqi – Avokat.
Pas disa refuzimeve, Hashim Thaçi u lejua të vijë në Kosovë, të enjten e kaluar ku e takoi për tri orë në QKUK babanë e tij.
Edhe në të kaluarën, në raste kur të akuzuarve në Hagë u kanë vdekur familjarë, ata janë lejuar të vijnë tek pas varrimit, përfshirë Kadri Veselin, i cili i ka humbur te dy prindërit gjatë kohës sa është në paraburgim në Hagë.