Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka qenë e ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Donald Trump, por që ka deleguar ambasadorë “siç kanë bërë liderë tjerë botërorë”.
Osmani ka thënë se në këtë ceremoni krahas ambasadorit të Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, pjesëmarrës kanë qenë edhe Rejhan Vuniqi, këshilltare e Osmanit për politikë të jashtme.
“Siç ju kam informuar, në këtë ceremoni kam qenë e ftuar nga anëtarë të Kongresit dhe të Senatit. Meqenëse shumica dërmuese e shteteve siç keni mundur ta shihni dje sa i përket liderëve shtetërorë që janë udhëheqësesh shtetesh janë përfaqësuar nga ambasadorët, të njëjtin model protokollar e kemi zbatuar edhe ne. Unë kam dërguar një delegacion Presidencial të udhëhequr nga shefja ime e stafit dhe këshilltarja për politikë të jashtme.
Të shoqëruara nga ambasadori ynë në ShBA, Ilir Dugolli, kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet inauguruese e të cilat në fakt akoma po vazhdojnë, përfshirë takime të ekipit që unë e kam deleguar dhe sapo të përfundojnë të gjitha takimet e tyre, ne do të lëshojmë një komunikatë ku do ta informojmë publikun për të gjitha këto takime”, ka thënë Osmani, teksa përmend edhe takimin e shkurtë që ka pasë me presidentin Trump në Paris.
Aty, Osmani ka thënë se e ka uruar Trumpin, me të cilin ka thënë se ka folur për sigurinë në Kosovë e rajon.
“Siç e dini, unë tashmë kam pasur mundësi që ta uroj personalisht presidentin Trump, gjatë vizitës në Paris dhe jo vetëm që ta uroj por njëkohësisht të kem edhe një bisedë përmbajtjesore me të lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin tonë, dhe rreziqet të cilat i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe me gjerë dhe për ta thelluar bashkëpunimin dhe jam e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede”, u shpreh Osmani.