Vijon të mbetet ende mister motivi i vrasjes së 22-vjeçares me orgjinë shqiptare Ilaria Sula nga ish- i dashuri i saj, filipinasi Mark Samson. Krimi ka ndodhur në banesën e këtij të fundit, ndërsa më pas ai tentoi të zhdukte kufomën.
Policia italiane vijon hetimet, ndërsa po sekuestron pothuajse gjithçka nga shtëpia ku banon familja Samson në via Homs. Pas sekuestrimit të kompjuterit të Mark Samson, grupi hetimor, sipas mediave italiane, ka marrë së paku edhe 3 qese të mëdha të zeza, të cilat peshonin shumë, ku mendohet se janë sende apo veshje ku mund të gjenden gjurmët e gjakut të viktimës.
Një histori plot hije dhe kontradikta, për të cilën grupi hetimor vijon hetimet, duke mos lënë jashtë rrethit të të dyshuarve edhe prindërit e 23-vjeçarit Mark Samson.
Mediat italiane njoftojnë se Nors Mazlapan dhe Rik Samson, përkatësisht nëna dhe babai i Mark Samson, u është ndaluar largimi nga Italia. Në këtë kuadër, mediat italiane raportojnë se ndaj tyre është marrë një masë specifike që i ndalon të kalojnë në pikat e kalimit kufitar të Italisë.
Ata po verifikohen lidhur me pozicionin e tyre në krimin që ka tronditur vendin fqinj. Grupi hetimor duket se ka dyshime se 23-vjeçari nuk e ka kryer krimin i vetëm, megjithëse gjithçka po verifikohet.

Një ditë më parë nga banesa e Samson u sekuestrua një kompjuter. Përveç PC të përdorur nga djali i akuzuar për vrasje me dashje, gjithashtu u sekuestruan disa thika të marra nga sirtarët e kuzhinës, veshje dhe batanije, ndërsa kanë vijuar kërkimet brenda banesës për gjetjen e gjurmëve jo vetëm në dhomën ku mendohet se është ekzekutuar 22-vjeçarja.
Fakti që policia është ende e përqendruar në shtëpinë e familjes filipinase në kërkim të armës së vrasjes tregon se deklaratat e studentit të arkitekturës se armën e krimit e ka hedhur në një kosh mbeturinash nuk janë bindëse.
Hetuesit, me bashkëpunimin e kolegëve të Skuadrës Fluturuese, të drejtuar nga Roberto Pititto, morën disa tehe të përdorura zakonisht në kuzhinë, të cilat tani do të duhet të krahasohen me plagët në qafë që shkaktuan vdekjen e Ilarias.
Gjithashtu policia ka në dispozicionin e saj edhe kompjuterin e viktimës, të cilën autori i dyshuar i vrasjes tentoi ta zhdukte. Grupi hetimor shpreson se në kompjuterët e sekuestruar mund të zbardhë edhe më shumë detaje lidhur me shkakun e krimit.
Deri më tani dyshohet se motivi i krimit është feminiciditeti.
“Ilaria-n e doja marrëzisht”, do të deklaronte 23-vjeçari, pasi u arrestua lidhur me krimin. Sipas tij, ajo që e shtyu të godiste vajzën me thikë ishte zbulimi i një ose më shumë mesazheve të që vajza kishte marrë nga një tjetër student.
“Kam pasur edhe një përballje të drejtpërdrejtë me të”, ka shtuar filipinasi.
Por, një tjetër kontradiktë e dukshme në rrëfimin e studentit filipinas, duket se po e çon hetimin në një drejtim tjetër. Që në fillim, 23-vjeçari u përpoq të ruante linjën e tij të sjelljes: i ekuilibruar.
Çdo fjalë peshonte, sikur të ishte një mësim i mësuar përmendësh. Përkundrazi, hesht përballë pasaktësive dhe mosmarrëveshjeve në historinë e tij. Në këtë pikë ka lindur dyshimi dhe pyetja “A po mbron dikë?
Por kë po mbron? Kush mund ta kishte ndihmuar për të zhdukur trupin e Ilarias në skarpatën e Capranica Prenestina? Apo kush mund të kishte luajtur një rol aktiv në vrasjen e studentes?