Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar për takimin që patën sot me minatorët.
Ajo ka thënë se minatorët do ta kenë përkrahjen nga qeveria, megjithatë keqpërdorimet duhet të marrin fund.
Postimi:
Me minatorët absolutisht pajtohemi në qëllime dhe parime. Këtë e konfirmuam sot gjatë bashkëbisedimit me punonjësit e minierës së Stantërgut, gjatë një vizite në Mitrovicë me Ministrin Xhelal Sveçla.
Kryeministri javën që shkoi e tha një të vërtetë të pamohueshme. Në Trepçë sot një minator duhet të nxjerrë xehe mjaftueshëm për të paguar pagat për më shumë se 10 punonjës të tjerë. Kjo është jo vetëm e pamundur por edhe thellësisht e padrejtë. Sikur kjo të mos mjaftonte, gjatë ditëve të fundit kemi parë se si persona të caktuar kanë qenë duke marrë pagë nga Trepça, pa shkuar fare në punë, madje disa thuhet me muaj e vite të tëra. Të tjerë janë suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e shkelje të tjera të rënda.
Në Trepçë përfundimisht duhet të ndahet punëtori nga jo-punëtori, i drejti nga keqpërdoruesi, puna nga krimi. Fshehja e padrejtësisë e keqpërdorimit ka kaluar shumë gjatë e fshehur prapa “djersës së minatorit”.
Bordi dhe menaxhmenti e kanë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të siguruar në drejtësi e ligjshmëri, si dhe rritje të prodhimit. Kjo, ndër të tjera, do të thotë se ata dhjetëra punëtorë që u pranuan në punë si minatorë, e u nxorën në sipërfaqe për favore, duhet të kthehen e të punojnë përkrah kolegëve të tyre të cilët i kanë lënë vetëm, në numër shumë të vogël.
Nuk ka kufi për vlerën që jemi të gatshëm për të investuar në Trepçë si Qeveri, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm kur të vihet në vend drejtësia.