Ministria e Shëndetësisë ka apeluar te qytetarët që të bëjnë kujdes gjatë këtyre ditë kur po mbizotrojnë temperaturat e larta në vendin tonë.
Po ashtu edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta dhe nxehtësia
Parashikimet e meterologëve janë që gjatë kësaj jave temperaturat do të jenë sërish të larta dhe ato mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos të grupeve të cenueshme.
“Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës”, njofton IKSHP.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë kërkon nga qytetarët që të ndiqen rekomandimet e dhëna nga MSH dhe IKSHP për të mbrojtur shëndetin.
“Të dashur qytetarë, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë, ju lutemi të ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për të mbrojtur shëndetin tuaj. Në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike, nëse është e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masa për kufizimin e orarit të punës”, thuhet në njoftim.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se edhe kjo javë parashihet të jetë e nxehtë, si pasojë e prezencës së masave të nxehta të ajrit me orogjinë nga Afrika Veriore. Temperaturat maksimale pritet të jenë deri në 36 gradë.