Pagesat e para nga Plani evropian i Rritjes për Kosovën mund të realizohen vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re në vend. Kjo për arsye se secili shtet përfitues duhet të nënshkruajë me Bashkimin Evropian një marrëveshje për kredi. Marrëveshjet e tilla kanë karakter ndërkombëtar, ndaj edhe duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.
Kosova nga Plani Evropian i Rritjes pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro. Mbi 250 milionë euro do të jenë fonde pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formën e kredive të favorshme.
Pesë nga gjashtë shtetet e rajonit janë përfituese të kësaj pakoje. Sidoqoftë, asnjëra prej tyre nuk i ka përmbyllur ende procedurat e brendshme. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina për momentin nuk konsiderohet shtet përfitues, pasi nuk ka përmbushur as kushtin fillestar – përpilimin e agjendës së reformave.
Për të diskutuar proceset në kuadër të Planit të Rritjes, liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen javën e ardhshme në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Në samitin e radhës, sipas të gjitha gjasave, do të marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Pritet që në këtë takim të konfirmohet edhe një herë gatishmëria e Komisionit Evropian për të nisur me pagesat e para sa më shpejt të jetë e mundur, por paraprakisht të gjitha vendet duhet të përmbyllin procedurat e domosdoshme, raporton RTK.
Plani i Rritjes është paketa më ambicioze financiare e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Kjo paketë kap shumën prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formën e kredive të favorshme.