Nga Prof.Dr. Elmas Leci
Kjo më poshtë është letra sekrete, që Enver Hoxha i dërgoi J.B.Titos më 16 mars të vitit 1948, për bashkimin e Ushtrisë shqiptare me atë jugosllave:
“I dashur Marshall,
Shoku ynë gjeneral Kristo Themelko, së bashku me gjeneral Kupreshanin ardhën në Beograd për të biseduar me Shtatmadhorinë Jugosllave, çështjen e unifikimit… Mendimi ynë mbi këtë është ky: Në parim duhet të krijohet një Komandë Unike pse nuk mundet që në një front ku ndodhen dy ushtritë si tonat, të veprojnë kundra të njëjtit armik nën dy Komanda të veçanta. Për karakterin e kësaj Komande Unike, format, mënyrat e veprimit dhe momenti i shpalljes së saj, ne nuk jemi në gjendje t’i përcaktojmë si duhet. Por bashkëpunimi i Shtatmadhorisë suaj dhe delegatit tonë, si dhe sugjerimi Juaj, do të na ndihmojë neve për marrjen e një Vendimi të përbashkët definitiv mbi këtë problem”, Unifikimin”.129)
Letra e mësipërme është në përgjigje të kërkesës së J.B. Titos, i cili i kishte kërkuar Enver Hoxhës që për unifikimin e dy ushtrive të hartohej e të nënshkruhej një Promemorje bashkimi, e cila do të ishte “në interes të përforcimit të mbrojtjes të vendeve tona dhe të forcimit të ushtrisë së përbashkët”.
Para letrës së mësipërme të Enver Hoxhës për Mareshallin Tito, kemi ngjarjet e korrikut të vitit 1947 dhe të dhjetorit të po atij viti, ku u hodhën konturet e bashkimit të ushtrisë sonë me atë jugosllave. Për ato konture kishin ardhur në Shqipëri delegacione ushtarake jugosllave, ku në atë të korrikut 1947 binte në sy përbërja e nivelit të lartë sepse në krye të tij ishte gjenerali Koça Popoviç, Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë jugosllave, gjenerali Vukmanoviç Tempo, (një emër i i njohur në Shqipëri që gjatë Luftës Antifashiste, për ndikimin që kishte pasur në ngjarjet politike në Shqipëri) Drejtor Politik i Ushtrisë jugosllave pas Çlirimit, gjenerali Rade Hamoviç Shef i Drejtorisë Operative etj. Edhe më parë në 23 deri më 27 dhjetor të vitit 1946 kishin ardhur në Shqipëri gjenerallejtnanti Rade Hamoviç Shefi i Drejtorisë Operative të Shtatmadhorisë jugosllave, që ishte edhe me delegacionin e korrikut.
Dokumenti apo Promemoria e Unifikimit të Ushtrisë kishte si pikë të parë pikërisht faktin se “duhet të kalohet sa më parë në njësimin (njësimi është e njëjta gjë me unifikimin apo bashkimin) e Ushtrisë shqiptare me Ushtrinë jugosllave dhe pikat e Promemories ishin që mes Ushtrive shqiptare dhe asaj jugosllave të bëhej:
1.Unifikimi i sistemit të mbrojtjes dhe forma e organizimit.
2.Unifikimi i armatimit dhe i furnizimit.
3.Unifikimi i metodës të stërvitjes së reparteve dhe i përgatitjes së shtabeve.
4.Unifikimi i normave të jetesës në Ushtri.
5.Unifikimi i sistemit të evidencave dhe i administratës.
6.Unifikimi i metodës së drejtimit të gjithë ushtrisë.
Përveç këtyre Promemoria, ka edhe shumë nënpika përgatitore deri në hyrjen në fuqi të Aktit përfundimtar të unifikimit. Hartuesit e Promemories i shihnin pikat e nënpikat e saj si rrugën e vetme, që do ta mundësonte unifikimin e të gjithë sistemit të punës në Ushtrinë shqiptare me Ushtrinë jugosllave. Në fakt, në një studim mbi këtë dokumentPromemorie theksohet edhe fakti se po në verën e vitit 1947 në Moskë, Enver Hoxha do kërkonte që instruktorë ushtarakë sovjetikë të vinin në Shqipëri.131) Kjo ishte “loja” dyfishe e Enver Hoxhës që e mbajti në pushtet, si masë ndaj asaj që jugosllavët nuk kishin shumë besim te ai. Këtë e kishte ndjerë mirë Enver Hoxha, ndaj përpiqej të bëhej sa më i besueshëm për jugosllavët duke sakrifikuar edhe Ushtrinë për qëndrimin e tij në pozitat e “njësh”-it.
Dokumenti apo Platforma – Promemorja, që u formulua në takimin jugosllavo – shqiptar përmban 18 pika, të cilat rezulton se Enver Hoxha i ka firmosur dhe pas kësaj delegacioni ushtarak jugosllav kërkoi takim me Enver Hoxhën, i cili nuk i kundërshtoi dhe i miratoi propozimet e tyre. Ndërsa për Mehmet Shehun, ish Shef i Shtabit të Përgjigjëm, në dokumentet e partisë është thënë se “pati lëkundje lidhur me Unifikimin”, por e vërteta është krejt e kundërta. Ai vetë e ka pohuar në mbledhjen e Byrosë Politike më 8 janar të vitit 1948 se “ nuk jam kundër bashkimit të Ushtrisë sonë me atë jugosllave. Unë kam punuar dhe punoj për këtë…”.132) Duket se edhe Mehmet Shehu Shef i Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë, bënte lojë dyfishe, se ai ishte edhe pro rus dhe siç duket për çështje pushteti zbatonte dy vija. Këtë jugosllavët e kishin kuptuar dhe kur u bë zëvendësimi i Mehmet Shehut me Shef Shtabi Beqir Ballukun, duket sikur u “zhdukën” të gjitha pengesat e bashkimit të Ushtrisë. Këtë e përforcojnë edhe dokumentet që flasin për vizitën në Beograd të gjeneralëve Beqir Balluku, Kristo Themelko etj. ku u pranua madje edhe ardhja e Divizionit Jugosllav në Korçë. Në fakt, vetë Enver Hoxha i kishte miratuar të gjitha këto propozime, por më pas, kur u prish Stalini me Titon, i mohoi ato e nuk i zuri më në gojë, duke e mbushur gjithçka me propagandën anti Tito.
Nëse nuk do të kishte ndodhur prishja e madhe në vitin 1948 mes Stalinit e Titos, vetë Enver Hoxha dhe qeveria e tij komuniste e kohës, do të kishte ngelur peng i politikës vasale ndaj Jugosllavisë. Kjo pasi pothuajse të gjitha llojet e marrëdhënieve të vendosura me Jugosllavinë e pasluftës, kishin në bazë të tyre platformat njësuese e bashkuese, qoftë në sektorin ushtarak e atë ekonomik, ashtu edhe në jetën politike në vend.
Promemoria për bashkimin e Ushtrisë shqiptare me Ushtrinë jugosllave, jo fort e njohur për publikun e gjerë që i takon vitit 1947, gjendet ne Arkivin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, plot katër faqe material, ku shpalosen idetë se si do të veprohej deri te ky bashkim i ushtrisë tonë me atë jugosllave, që ishte një plan i vjetër që gjatë Luftës, ku J.B.Tito i kërkonte ose më mirë i diktonte Enver Hoxhës krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik. Për këtë ide u ndërmorën aso kohe shumë masa dhe në fakt ishin pararendëset e Federatës Ballkanike e rizgjuar edhe njëherë në kohën tonë. Këto ide lidheshin atëherë me “gllabërimin” e Shqipërisë, ku pjesë e atij plani ishte edhe bashkimi i Ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Për ta bërë fakt bashkimin, ka qenë fillimisht edhe dislokimi apo ardhja në zonën e Korçës i një Divizioni Jugosllav apo dy siç e gjejmë në disa dokumente, hap ky i ndërmarrë nga jugosllavët e që përbënte një rrezik të madh edhe për prishjen e balancave në Ballkan. Punë tjetër që Shqipërinë e ndihmoi Zoti nuk ndodhi as njëra as tjetra, as ajo që me firmën e tij Enveri e la pa mbrojtje Shqipërinë, as ajo e suprimimit të Ushtrisë tonë në atë jugosllave. Thamë se ndihmojë zoti Shqipërinë pasi u prish Stalinit me Titon për çështje rivaliteti, si rezultat shpëtoi edhe Shqipëria nga suprimimi i Ushtrisë firmosur nga Enveri dhe vetë Shqipëria që mos o zot do kishgte përfunduar pjesë e Jugosllavisë.
*Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes