Dalin detaje se si u zbulua aplikacioni i koduar “MATRIX”. Dje Europol bëri me dije se ka mbyllur aplikacionin dhe ka siguruar afro 2.3 milionë mesazhe, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale.
Platforma, ishte e lidhur me krime të rënda, duke përfshirë trafikun ndërkombëtar të drogës, trafikun e armëve dhe pastrimin e parave.
Sipas mediave ndërkombëtare, ajo u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e vitit 2021 të gazetarit investigativ holandez Peter R. de Vries, i cili ishte i njohur për historitë e tij për krime të pazgjidhura.
Gjatë tre muajve të hetimit të “MATRIX”, policia përgjoi dhe deshifroi më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë nga kriminelë të dyshuar. Platforma kishte gati 8,000 përdorues, të cilët paguanin midis 1,367 dollarë dhe 1,682 dollarë për një abonim gjashtë mujor.
Infrastruktura e “MATRIX” përbëhej nga më shumë se 40 serverë të vendosur në disa vende, me shumicën në Gjermani dhe Francë. Gjatë operacionit ndërkombëtar të martën, forcat e rendit çmontuan serverët dhe arrestuan tre të dyshuar në Spanjë, Francë dhe Holandë.
Ndër të arrestuarit ishte pronari dhe operatori i dyshuar i platformës, një shtetas lituanez 52-vjeçar, i cili bashkëpunonte me një 30-vjeçar nga cash dhe rreth 500,000 euro në kriptovaluta. Autoritetet thanë se konfiskuan gjithashtu katër automjete dhe më shumë se 970 telefona celularë.
Një faqe në internet po paralajmëron përdoruesit e “Matrix” se disa mesazhe të dërguara përmes platformës janë përgjuar.
“Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë hera e fundit që ne mund t’i lexojmë mesazhet në kohë reale. Ne fituam akses në të dhënat në lidhje me këtë shërbim dhe hetimi ynë nuk mbaron këtu”, thuhet në faqe.
Sipas policisë holandeze, “MATRIX” kishte sistemin e vet operativ dhe aplikacione të ndryshme për mesazhe të koduara, telefonata të sigurta, shkëmbim video dhe audio, si dhe shfletim anonim në internet. Platforma madje shfaqi një aplikacion për lojërat e fatit dhe monedhën e vet për pagesën e tarifave të abonimit. Aplikacioni u instalua kryesisht në telefonat “Google Pixel”.
Europol tha se infrastruktura e “MATRIX” ishte teknikisht më komplekse se ajo e platformave të goditurta më parë si “Sky ECC” dhe “EncroChat”. Përdoruesit mund ta merrnin shërbimin vetëm me ftesë.
“Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët”, tha Europol.
Baza e klientëve të “Sky ECC” ishte shumë më e madhe se ajo e “MATRIX”. Që nga viti 2021, platforma kishte më shumë se 70,000 përdorues, duke përfshirë mbi 11,000 në Holandë dhe 6,000 të tjerë në Belgjikë.
“Peizazhi i komunikimit kriminal ka ndryshuar pas heqjes së “Sky ECC”, “EncroChat”, “Exclu” dhe “Ghost”. Kriminelët përdorin tani një numër më të madh aplikacionesh dhe përdorin teknologji më komplekse“, tha policia holandeze, raporton “The Record Media”.
Ndëkrohë Europol ka reaguar për mediat shqiptare. Vetë ata kanë konfirmuar se mes 33 gjuhëve të përdorura është edhe shqipja.
“Mund t’u konfirmoj se shqipja ishte ndër gjuhët e përdorura në aplikacion. Çështja drejtohet nga një ekip i përbashkët hetimor (EPH) që përfshin autoritetet franceze dhe holandeze, të mbështetura nga një Task Force Operacionale e krijuar në Europol. Ky grup pune përfshin forcat e zbatimit të ligjit nga Franca, Holanda, Spanja, Lituania dhe Italia”, ka thënë Europol.
Kjo do të thotë se shumë shpejt do të ketë zhvillime edhe në Shqipëri, pasi do të dalin mesazhe të grupeve kriminale. Vetë Nuredin Dumani ka konfirmuar se ai e ka përdorur këtë aplikacion bashkë me Suel Çelën.