Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.
Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit.
Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ka ndodhur tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar.
Ai ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.
Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë në mbajtje policore.
Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor, i cili ishte pjesë e operacionit për të kryer kontrolle në klube nate dhe biznese hotelerie në disa lokacione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.