Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim të shtëpizave në sheshin “Xhorxh Bush” një ndërmarrjeje komunale.
Në vendimin e ministrisë thuhet se vendimi i Ramës për miratimin e kërkesës së ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për organizimin e tregut veror është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“MAPL konstaton se vendimi Nr. 14.020/04.129312/24 nuk përmban në preambulë Rregulloren nr. 01-463/01-227577/23 për përcaktimin e procedurave dhe formave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për më pak se një vit të datës 1.12.2023, akt me të cilin kryeqyteti i Republikës së Kosovës/Prishtinë ka përcaktuar ‘procedurë të brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronës më pak se një vit’ si dhe neni 6 i vendimit që ka përcaktuar se ‘hyrja në fuqi realizohet në momentin e nënshkrimit të tij’ duke anashkaluar dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës për shqyrtimin e ligjshmërisë është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 80”, thuhet në arsyetim.
MAPL-ja i ka kërkuar kryetarit Rama dhe Kuvendit Komunal që të ndërmarrin veprimet që brenda afatit ligjor të rishqyrtojë aktiv dhe të harmonizojë me legjislacionin në fuqi./Koha