spot_img
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Lufta tregëtare SHBA-KINË dhe gara presidenciale amerikane!

AKADEMIK, ANASTAS ANGJELI

Veç kundërshtive politike midis kandidatëve për Presidentë në SHBA, vëmendja është përqendruar edhe në çështjet ekonomike, ku veç, politikës së taksave, luftës kundër inflacionit, politikës energjetike, zhvillimit të infrastrukturës, qëndrimeve ndaj emigracionit, dhënies fund të varfërisë për fëmijët, fuqizimit të sindikatave, pakësimit të kostove për kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për fëmijët, thirrjes se Presidentit Trump, se Amerika nëse ai fiton, do të bëhet qendra e kriptomonedhave (bitcoin), si dhe daljes në pension me dinjitet, apo ngrohjes globale dhe ambientit, spikat edhe propaganda për politikat tregtare ndërkombëtare e në veçanti vendosja e tarifave të tjera doganore, të rënda, për produktet meksikane, por kryesish për ato kineze.

Gjithashtu, po të shtojmë dhe sanksionet e fundit të administratës ‘Biden’ ndaj Kinës, për faktin se Kina mbështet Rusinë në luftën në Ukrainë, problemi i marrëdhënieve tregtare ndërmjet tyre duket se do të jetë i mprehtë. Kjo, sepse retorika e proteksionizmit, (sidomos te republikanët) në emër të sloganit “Bli mallra amerikanë”, apo “Amerika është e para” ka pasur shpesh ndikim pozitiv jo vetëm në ekonomi, por edhe te elektorati, sepse edhe sipas një sondazhit të fundit, “tre të katërtat e amerikanëve janë të shqetësuar për rolin dhe ndikimin e produkteve kineze në SHBA”. Kjo u theksua dhe në fjalimin e Presidentit Trump në Konventën e republikanëve. Lufta tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mosmarrëveshje tregtare, që filloi më 22 mars 2018, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi planet për të vendosur 50 miliardë dollarë taksa doganore për produktet kineze, sipas nenit 301 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Nisma e Trump-it ktheu një mase, e cila nuk ishte përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore. Administrata ‘Biden’ nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi politikën e paraardhësit të saj, pasi marrëveshjet e nënshkruara në janar 2020, të quajtura “Faza e Parë”, parashikonin të mos rrisnin tensionet tregtare kinoamerikane, por edhe të linin të paprekura të gjitha masat e miratuara në dy vitet e mëparshme. Kështu, u lanë në fuqi tarifat doganore për 4 produkte kryesore: makinat elektrike, panelet diellore, gjysëmpërçuesit dhe alumini dhe çeliku.

Por çfarë pasojash solli kjo politikë në tregtinë ndërkombëtare dhe në ekonominë botërore dhe sidomos në vendet e industrializuara?

Rezultatet në frontin e tregtisë ndërkombëtare janë shumë interesante. Ndërsa nga njëra anë të dhënat tregojnë, siç pritej logjikisht, se vendosja e tarifave ka ulur flukset tregtare midis Kinës e Shteteve të Bashkuara, më pak i dukshëm është fakti se pjesa tjetër e botës, veçanërisht ajo në zhvillim, ka përfituar nga lufta tregtare SHBA-Kinë. Shumë prodhime nga prodhues të këtyre vendeve, për shembull ato meksikane apo vietnameze, në fakt kanë arritur të zëvendësojnë kompanitë kineze në shërbimin e kërkesës amerikane, ndërkohë që nuk ka ndodhur e njëjta gjë me rastin e uljes së eksporteve amerikane në Kinë, të cilat janë zëvendësuar me produkte kombëtare (vendëse). Në aspektin teknik, mund të themi se shumica e vendeve të treta eksportojnë produkte që janë plotësuese me ato amerikane dhe zëvendësuese për ato kineze. Pavarësisht pranisë së dallimeve të forta midis vendeve të ndryshme, rezultati i përgjithshëm ishte se vendosja e tarifave amerikane dhe kineze përfundoi deri tashti duke shkaktuar një rritje të tregtisë ndërkombëtare dhe jo një tkurrje. Edhe ky rezultat nuk ishte aspak i pritshëm, pasi shumë studiues kishin hedhur hipotezën se lufta tregtare e Trump do të çonte në fundin e globalizimit.

E gjithë kjo, mendoje, që nuk i bëri Shtetet e Bashkuara të ridimensionojnë politikën e tyre tregtare ndaj Kinës, por përkundrazi, të përdorin më gjerë detyrimet dhe sanksionet për të “ndëshkuar” vendet që sillen në një mënyrë të konsideruar “agresive” ose të papajtueshme me “parimet demokratike”. Nëse kjo bie në kundërshtim në ndonjë rast edhe me parimet e OBT-së është e keqja më e vogël nëse e konsiderojmë demokracinë dhe liberalizmin gurin themeltar të ekzistencës së lirë.

KUSH E GJENERON KËTË LUFTË TREGTARE?

Shumë pak specialiste diskutojnë faktin se: A është konkurrenca dhe konflikti ndërmjet sistemeve ekonomike të dy vendeve që gjeneron luftën tregtare? Në çfarë mase sistemi ekonomik kinez paraqet karakteristika të veçanta nga sistemi amerikan i ekonomisë së tregut?

Në këtë drejtim, kritikat e Dennis Sheas, ambasadori i SHBA-ve në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) janë totalisht të sakta dhe realiste. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të OBT-së të mbajtur më 26 korrik 2018, menjëherë pas shpërthimit të luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, Denis Shea deklaroi se, “Kina është në fakt ekonomia më proteksioniste dhe merkantiliste në botë”. Ndryshe nga pritshmëritë e anëtarëve dhe organeve drejtuese të OBT-së, Kina nuk ka lëvizur drejt një adoptimi më të plotë të politikave dhe praktikave të bazuara në treg që nga anëtarësimi në 2001 në këtë organizatë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Roli i shtetit në ekonominë kineze është rritur. Kjo do të thotë me protksionizëm në tregun e brendshëm se askush nga subjektet e tregut mund të konkurrojë me ekonominë e bizneseve shtetërore.

Në këtë aspekt, evidentohen tri çështje në lidhje me karakterin unik të sistemit ekonomik kinez

Së pari, qeveria kineze ka një kapacitet të madh mobilizimi për aktivitetin ekonomik dhe shpërndarjen e burimeve ekonomiko-financiare. Kjo sepse Kina, si një vend socialist, nuk lejon pronësinë private të tokës. Më pas, ajo përpiqet, për aq sa është e mundur, të mbajë një prani të fortë të ndërmarrjeve shtetërore në fusha strategjike si financa dhe energjia. Për më tepër, vetë Partia Komuniste ka kapacitete të konsiderueshme organizative që i përdor për të ndikuar te komunitetet, madje edhe ato me popullsi prej disa mijëra banorësh. Kjo situatë është thelbësisht e ndryshme nga sistemi i ekonomisë së tregut të Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, që lejojnë pronësinë private të pothuajse të gjithë faktorëve të prodhimit, duke përfshirë tokën, kapitalin dhe kapitalin njerëzor.

Së dyti, qeveria kineze po përpiqet të shfrytëzojë këtë kapacitet të fortë mobilizimi për të fituar një avantazh në konkurrencën ekonomike globale, veçanërisht nëpërmjet subvencioneve industriale. Siç shohim, ndërhyrja e qeverisë në aktivitetin ekonomik ndjek logjikën e saj. Megjithatë, për Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë miratuar parimin e shpërndarjes së burimeve bazuar në parimet e tregut, çdo ndërhyrje në mënyrë të pashmangshme duket të jetë një shtrembërim i tregut. Meqenëse shtrembërimi i tregut është i dënueshëm në SHBA, ky parim është funksional në çdo fushë dhe nuk mund të përdoret.

Së treti, qeveria kineze ka një tendencë të fortë për të favorizuar ndërmarrje të caktuara me pronarë të ndryshëm për të siguruar një avantazh në konkurrencën ndërkombëtare dhe nuk ruan domosdoshmërish një fushë loje të barabartë në konkurrencë. Kjo situatë është interpretuar nga Shtetet e Bashkuara si një çështje e trajtimit diskriminues të kompanive të huaja, që në fakt bie ndesh me parimet e OBT-së. Në shumë raste evidentohen në mënyrë indirekte praktika si “përvetësimi i pronës intelektuale”, transferimi i detyruar i teknologjisë dhe kufizimet e hyrjes në treg. Për të tërhequr bizneset, ka edhe raste të trajtimit preferencial ndaj kompanive të huaja ose, për të mbrojtur ndërmarrjet shtetërore, raste të trajtimit diskriminues të kompanive private vendëse, janë elemente këto që shkelin parimin e OBTsë për barazinë e mallrave në një treg.

Lidhur me këtë çështje shtrohet pyetja: nëse konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vazhdon, si do të evoluojë konkurrenca dhe konflikti mes sistemeve ekonomike të dy vendeve në të ardhmen? Si do të transformohet ndarja ndërkombëtare e punës, e cila u ndërtua rreth dy vendeve me institucione të ndryshme ekonomike?

Teorikisht ky mekanizëm u sugjerua nga Jan Tinbergen, fituesi i parë i çmimit Nobel në Ekonomi, në vitet 1960, nën emrin e teorisë së konvergjencës. Sipas Tinbergen, kampet komuniste dhe kapitaliste, nën presionin e konkurrencës intensive ndërsistemore, duhet të mësojnë pikat e forta të sistemeve të të tjerëve për të kompensuar dobësitë e tyre. Si rrjedhojë, në bllokun komunist kanë depërtuar elementë të ekonomisë së tregut, ndërkohë që sektori publik është zhvilluar në ekonomitë e lira dhe të dyja sistemet kanë pasur një tendencë graduale për t’u konverguar në elemente të veçanta të politikës ekonomike. Një shembull që më vjen ndërmend tani është ekonomia jugosllave, që në fakt bëri këtë proces, por nuk arriti ta përfundojë dot.

Cui Zhiyuan i Universitetit Tsinghua botoi një punim të titulluar “Shkëputje apo konvergjencë?” në “China Daily”, më 8 tetor 2019. Ai duke cituar teorinë e konvergjencës së Tinbergen, nënvizoi se ekziston mundësia e konvergjencës institucionale midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Cui vuri në dukje dy raste kineze që mbështesin teorinë e konvergjencës: masat për të menaxhuar kapacitetin e tepërt të prodhimit dhe kalimin nga “menaxhimi i ndërmarrjes” në “menaxhimin e kapitalit” gjatë seancës së tretë plenare të Komitetit Qendror të 18-të për Reformën të Menaxhimit të Pasurive Shtetërore. Si shembuj nga pala amerikane, ai përmendi diskutimet për shtetëzimin e sistemit 5G në Shtetet e Bashkuara dhe politikën e re industriale të SHBA-ve.

LUFTA DOGANORE DHE DOLLARI AMERIKAN

A është lufta doganore e Shteteve të Bashkuara kundër Kinës si një shtysë kryesore për një dedollarizim? Shumë mendojnë se ai tashmë ka filluar pjesërisht, duke filluar me letrat me vlerë të borxhit të SHBA-ve, që nuk shfaqen më në portofolin kinez të rezervave valutore si më parë. Në këtë rast, i vetmi instrument real për ruajtjen e dollarit është likuiditeti i fondeve të mëdha financiare private, të destinuara të bëhen edhe më vendimtare, për fatin e fuqisë kryesore ekonomike botërore, kushdo që të bëhet president i saj. Për më tepër, fuqia e këtyre fondeve tani është mbresëlënëse. Sot, dhjetë kompani të listuara në “Standard & Poor 500” (S&P 500, indeksi i kompanive më të mira amerikane sipas kapitalizimit) kanë vlerë mbi 15 trilionë dollarë, e barabartë me 34% të të gjithë indeksit. Kjo është një vlerë e paarritur kurrë në histori. Kjo vlerë është shumë afër Produktit të Brendshëm Bruto të Kinës (GDP). Këto dhjetë kompani kanë dy karakteristika shumë të dukshme: ato janë kompani të lidhura me inovacionin teknologjik dhe kanë si aksionere afër ose më shumë se 20% tre fondet e mëdha kapitali, Vanguard, BlackRock dhe State Strët. Asnjëherë në historinë e kapitalizmit nuk ka pasur një përqendrim të tillë pushteti me një vlerë aksionesh të lidhur me fuqinë e fondeve për të shtyrë çmimet e aksioneve të kompanive të tyre shumë më tepër sesa ato janë në gjendje të realizojnë fitime reale. Si përfundim, në Big Tech (Microsoft, Apple, Nvidia, Amazon, Meta, Alphabet/Google) likuiditeti i fondeve të aksionerëve të tyre fryn vlerat e aksioneve duke i shumëfishuar ato në krahasim me fitimet reale. Dallimi me të kaluarën është i dukshëm.

Në vitin 2000 dhjetë kompanitë kryesore në S&P 500 kishin vlerë rreth katër trilionë dollarë dhe përveç Microsoft-it, ato përfshinin General Electric, Walmart, Exxon Mobil, At&T dhe Citigroup.. Sot që madhësia e shoqërive dhe likuiditeti i tyre është akoma dhe më e “eksituar” çfarë pasojash do të ketë një krizë e mundshme si ajo e viteve 2000? Askush nuk mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje sepse askush nuk mund ta parashikoje ecurinë ekonomike të gjiganteve të tillë. Shprehja që “është shumë e madhe për të falimentuar” këtu ka shumë vlerë. Në këtë aspekt dhe dollari amerikan është shumë i madh që të largohet nga pozicioni si monedhe ndërkombëtare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit