Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova ende vazhdon ta paguajë çmimin e lirisë, duke aluduar në sakrificat e mëdha që janë bërë për të arritur pavarësinë e vendit.
Komentet ai i bëri pas homazheve pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.
Limaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, e ka përshkruar Haxhi Thaçin si një atdhetar dhe burri të madh, duke e cilësuar si simbol të të gjithë baballarëve të Kosovës.
Ai potencoi lidhjen e ngushtë emocionale që kishte me familjen Thaçi, përfshirë lidhjen me prindërit e djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin gjithashtu si prindër për njëri-tjetrin gjatë luftës dhe pasluftës.
“Sot së bashku me bashkëpunëtorë jemi këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prindi, një atdhetari dhe një burri të madh, i cili është simbol i gjithë baballarëve tanë. Me edukimin dhe sakrificën e tij, rriti djem në shërbim të vendit. Kam pasur fatin që shumë herë gjatë luftës dhe pasluftës, në situata të vështira e të gëzimit të kemi një lidhje emocionale, sepse gjithë djemtë e UÇK-së, prindërit e tyre kanë qenë prindërit e njëri-tjetrit.”
Limaj u shpreh gjithashtu se mungesa e ish-presidentit Hashim Thaçi në këtë ceremoni është një dëshmi e sakrificave të mëdha që janë bërë nga familjet kosovare për liri dhe pavarësi.
“Në momentin kur po e përcjellim, po tregon edhe një herë se çmimi i lirisë së Kosovës edhe sot po paguhet. Sot nuk është këtu ai që ka shërbyer, ka dhënë kontributin meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në momentet më të vështira të jetës së tij. Sot mungon presidenti Thaçi dhe kjo tregon se sa e shtrenjtë dhe me sa sakrificë e mund familjet tona kanë pagur çmim për liri dhe pavarësi.”