Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e gjeti veten në qendër të një skandali ndërkombëtar pasi dolën informacione se gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara, ai tentoi të merrte pjesë në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan për mbledhjen e fondeve me një emër të rremë.
Incidenti ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi dhe jashtë saj, me pasoja potencialisht të rënda ligjore dhe diplomatike.
Vuçiq mbërriti në SHBA për, sipas njoftimeve zyrtare, të marrë pjesë në ngjarje që lidhen me Partinë Republikane, duke përfshirë një takim të planifikuar me presidentin Donald Trump. Mirëpo, takimi nuk u zhvillua dhe presidenti i Serbisë pas dy ditësh u kthye urgjentisht në Beograd, me shpjegimin zyrtar se kishte probleme shëndetësore.
Menjëherë pas kësaj, mediat sociale dhe disa media opozitare në Serbi u vërshuan me pretendime se Vuçiq jo vetëm që ishte larguar para kohe nga ngjarjet në SHBA, por se atij i ishte kërkuar “me mirësjellje të largohej nga vendi” pasi u përpoq të hynte në një darkë donatorësh për kandidatin republikan për guvernator të Floridës, Byron Donalds, me emrin e rremë “Alex Vuçi”.
Këto akuza fillimisht janë bërë nga Aleksandar Joviçiq nga organizata “Serbët për Trump 2024”, dhe më pas janë bartur nga Lëvizja për Rinovimin e Mbretërisë së Serbisë (POKS), presidenti i së cilës Vojislav Mihailoviq pretendon se Vuçiq ka shkelur ligjet amerikane dhe ka vënë në siklet Serbinë në skenën ndërkombëtare.
“Duke marrë pjesë me një identitet të rremë në një ngjarje politike në SHBA, Presidenti i Serbisë e vuri veten në një pozicion për të shkelur ligje të shumta federale. Amerika nuk i merr lehtë këto gjëra,” tha Mihailoviq.
Eksperti ligjor Ivan Niniq ka deklaruar se i gjithë operacioni mund të jetë i lidhur me një rrjet tashmë të njohur kriminal që vepron brenda diasporës serbe në SHBA. Fenomeni ‘Kamionistët e Vuçiqit’ është nën hetim nga FBI për një kohë të gjatë. Nëse ata kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me këtë operacion që lidhet me fushatën e Trumpit, festa sapo ka filluar”, tha Niniq në një postim në rrjetin X (ish Twitter).
Çfarë thotë ligji amerikan?
Përveç pasojave politike, janë të mundshme edhe pasoja të rënda juridike. Gjegjësisht, ligji amerikan ndalon shprehimisht çdo përfshirje financiare ose organizative të shtetasve të huaj – dhe veçanërisht zyrtarëve të huaj të qeverisë – në zgjedhjet në të gjitha nivelet, qofshin fushata federale, shtetërore apo lokale.
Shkelja e këtyre dispozitave mund të rezultojë në ndjekje penale – duke përfshirë dënime me burg deri në 5 vjet dhe gjoba deri në 250,000 dollarë. Përdorimi i një identiteti të rremë e përkeqëson më tej situatën. Sipas nenit 52 U.S.C. 30122, dhënia e kontributeve me emër të rremë është vepër penale.
Nëse personi që përdor identitetin e rremë është gjithashtu zyrtar i huaj, pasojat mund të jenë edhe më të rënda. Një person i tillë mund të shpallet “persona non grata”, të humbasë automatikisht të drejtën për të hyrë në SHBA dhe vendi i tyre mund të ekspozohet ndaj presionit diplomatik, madje edhe sanksioneve.
Organizatorët e një darke për mbledhjen e fondeve në Florida thuhet se identifikuan një tentativë për imitim dhe refuzuan hyrjen e një personi me identifikim që nuk përputhej me informacionin e paraqitur më parë. Burime të pakonfirmuara pohojnë se kjo është pasuar nga një reagim i shefes së kabinetit të Trump, Susie Wiles, e cila i ka mohuar Vuçiqit aksesin në këtë ngjarje.
Për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar nga pala amerikane, por burime diplomatike kanë konfirmuar për disa media ndërkombëtare se “delegacioni serb u largua nga SHBA më herët se sa ishte planifikuar”.