Gazetari, Lirim Mehmetaj ka publikuar sot letrën të cilën më 30 nëntor ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ia ka dërguar KFOR-it si garanci që ushtria nuk do të dërgohet në veri, pos me leje të KFOR-it.
Madje, kjo duke respektuar letrën e 19 prillit 2013 në të cilën një zotim të tillë e kishte bërë Hashim Thaçi si kryeministër.
Por, Albin Kurti, këtë veprim të Thaçit e kishte cilësuar si “tradhti e lartë kombëtare”.
Kjo letër kishte ardhur pasi Togu i FSK shkoi në Veri, Maqedonci këtë e kishte cilësuar si keqkoordinim, duke premtuar se gabime të tilla më nuk do të ndodhin.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e plot të përkthyer në gjuhën shqipe:
I nderuar Gjeneral Barduani,
Po ju shkruaj këtë letër në lidhje me shqetësimin e shkaktuar nga pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ceremoninë mortore të z. Behgjet Hetemi, e mbajtur në Bistricë e Shalës më 24 Nëntor 2024.
Pas pranimit të letrës suaj, menjëherë kërkova nga Forca e Sigurisë së Kosovës informacione të hollësishme dhe mora sqarime lidhur me aktivitetin e ekipit ceremonial të FSK-së në Bistricë.
Pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të FSK-së në ceremoninë e përmendur u realizua me kërkesë të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kryerja e ceremonive të tilla është një nga detyrat rutinë të Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas Ligjit Nr. 04/L-261. Në kërkesën e pranuar, lokacioni ishte përmendur si Bistricë, Komuna e Mitrovicës, gjë që kontribuoi në konfuzion dhe gabim.
Mund t’ju siguroj se prania e Togës Ceremoniale në aktivitetin e përmendur në Bistricë pa miratimin paraprak nga KFOR-i ndodhi për shkak të një keqkoordinimi të brendshëm dhe ishte krejtësisht e paqëllimshme. Duke njohur ndjeshmërinë e çështjes, dua t’ju siguroj se kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kam udhëzuar udhëheqësinë e FSK-së të marrë masa adekuate për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen.
Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojnë angazhimin e bërë përmes letrës së datës 19 Prill 2013, nga ish-kryeministri Thaçi, i cili angazhohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmarrë një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me miratimin paraprak nga KFOR-i.
Duke shpresuar që kjo të mos dobësojë besimin tonë të ndërsjellë dhe të mos ndikojë në bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Ejup Maqedonci
Ministër i Mbrojtjes.