Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i është drejtuar me një kërkesë të hapur Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, duke kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të lejohet të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.
Lekaj thekson se kjo është një çështje humane dhe morale, duke argumentuar se Thaçi ka të drejtën themelore për t’i dhënë lamtumirën e fundit prindit të tij.
Ai kujton raste të ngjashme në të cilat gjykatat ndërkombëtare kanë treguar fleksibilitet dhe kërkon nga Gjykata Speciale që të tregojë ndjeshmëri dhe drejtësi në këtë rast.
Letra e Lekajt drejtuar Speciales:
KËRKESË E HAPUR DREJTUAR GJYKATËS SPECIALE PËR LEJIMIN E HASHIM THAÇIT NË VARRIMIN E BABAIT TË TIJ
Të nderuar anëtarë të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara,
Me këtë letër, ju drejtohem në emër të parimeve themelore të drejtësisë, humanizmit dhe të drejtave universale të njeriut. Ish-Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, po përballet me një moment të dhimbshëm dhe personalisht të rëndë – ndarjen nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Pavarësisht procesit gjyqësor në të cilin ndodhet, z. Thaçi mbetet një qytetar me të drejta të plota dhe ka të drejtën themelore që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të prindit të tij. Kjo nuk është një çështje politike apo ligjore, por një çështje njerëzore, morale dhe e drejtpërdrejtë e respektimit të dinjitetit të njeriut.
Ju bëj thirrje të merrni një vendim që pasqyron ndjeshmërinë dhe drejtësinë që kërkon kjo situatë. Në raste të ngjashme, gjykatat ndërkombëtare kanë treguar fleksibilitet dhe kanë lejuar individët të marrin pjesë në varrimet e familjarëve të tyre. Një veprim i tillë nuk do të cenonte procesin gjyqësor apo sigurinë e procedurës, pasi çdo masë e nevojshme mbikëqyrjeje mund të vendoset nga autoritetet përkatëse.
Të privosh një njeri nga e drejta për të lamtumirën e fundit me prindin është një masë e ashpër dhe e pajustifikueshme. Prandaj, kërkoj me përulësi që të shqyrtoni me ndjeshmëri dhe urgjencë këtë kërkesë dhe të lejoni z. Hashim Thaçi të jetë pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë.
Drejtësia nuk është vetëm ndjekje dhe ndëshkim, por edhe njohje e humanizmit dhe e të drejtave bazë të njeriut.
Me respekt,
Pal Lekaj