Wednesday, March 26, 2025
spot_img

LDK-ja dhe trashëgimia politike e Isa Mustafës

Shkruan: Rexhep ELEZAJ

Historia politike e Kosovës është e mbushur me zhvillime dramatike si dhe ndikime anësore që shpeshherë mbesin nën hije, siç është ndikimi i njërit nga ish udhëheqësit më të përfolur të LDK-së, Isa Mustafa, një politikan i cili në krye të saj ka ardhur përmes një loje dredharake politike, duke sjellë me vete gjithë bagazhin e tij nga shkolla komuniste ish jugosllave.

Isa Mustafa, duke i sponsorizuar grupet rivale brenda LDK-së, ai me “durim” e priste momentin e largimit nga skena politike të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, i cili pas ndarjes së tij nga jeta, janrar 2006, menjëherë do pozicionohet pranë Fatmir Sejdiut, fillimisht si kryetar i Prishtinës dhe më pas si kryetar i LDK-së, duke e rrëzuar nga pushteti njeriun i cili e futi sërish në politikë. Madje, këtë lojë e bëri me një strategji përfide, duke fituar mbështetje nga kryetarët e degëve të LDK-së, si Agim Veliu nga Llapi dhe Lutfi Haziri nga Anamorava, pra duke e larguar nga udhëheqja e partisë Fatmir Sejdiun, ndonëse zyrtarisht ishte akoma këshilltar i tij politik.

Isa Mustafa, si një politikan me përvojë komuniste ishte një figurë e përshtatshme për ta fragmentizuar dhe nadarë LDK-në, mbase shumë analistë besojnë akoma se përçarja mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit është orkestrua nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët kishin bërë një aleancë të fshehtë që nga paslufta.

Siç dihet, takimi i parë mes dy qeverive, asaj të ekzilit në krye me Bujar Bukoshin dhe asaj të Hashim Thaçit, u mbajt në shtëpinë e Isa Mustafës në Prishtinë, ku u dakordësua ndarja e pushtetit, njëra qeveri e vendosur në Odën Ekonomike të Kosovës (dikur Komiteti Krahinor) dhe tjetra në hapësirat e “Sllovenia Sport”, ku për një periudhë të gjatë këto dy struktura do funksionojnë paralelisht, duke e krijuar përshtypjen e një lufte të madhe mes tyre. Por, falë pranisë së KFOR-it dhe UNMIK-ut në Prishtinë, ndikimi i drejtpërdrejtë i këtyre përplasjeve nuk u vërejt menjëherë në opinion, por pasojat e ndikimit të nëntokës politike, mjerisht edhe sot janë të pranishme në Prishtinë.

E ardhmja e LDK-së në udhëkryq

Pas një periudhe heshtjeje, përplasjet e brendshme në LDK filluan të dalin në sipërfaqe tani pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku dy grupet e trashëguara nga Isa Mustafa, tani po përpiqen, ose të shkëputen nga e kaluara, ose të përmbushin misionin e tij politik, dhe kjo luftë e brendshme është e dukshme edhe në studiot televizive, ku figura të reja brenda LDK-së, të ardhura nga radhët e partive tjera, po promovojnë një qasje autoritare, “o me ne, o kundër nesh”.

Madje, ky mentalitet egocentrik i ngjanë shumë qasjes së militantëve të Albin Kurtit, duke e shpërfillur kontributin e brezave të mëparshëm që e ndërtuan LDK-në, si dhe duke e injoruar kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nëse kjo qasje autoritare do vijon tutje, pa dyshim, se LDK-ja do kthehet në një parti minore, e zbrazur plotësisht nga kuadrot dhe veprimtarët e saj të dikurshëm, brenda të cilës individë me trashëgimi politike të I. Mustafës po përpiqen që LDK-në rugoviane ta mbajnë nën monopolin e tyre politik, duke i lënë jashtë figurat më eminente të saj që kanë dhënë kontribut kolosal për çlirimin e Kosovës.

A do të ketë dikush guximin për të ndaluar këtë trend konflikti brenda LDK-së, për të krijuar hapësirë për një debat të hapur dhe demokratik mbi unifikimin e vlerave nacionale, apo do të vazhdojë kjo përplasje mes dy grupimeve politike, është vështirë të jepen parashikime konkrete.

Derisa e ardhmja e LDK-së mbetet e pasigurt, një gjë është e qartë, se pa një reformë të thellë dhe një qasje më unifikuese, trashëgimia politike e Isa Mustafës do mbetet pengesa më e madhe për demokratizimin e saj të mirëfilltë politik.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit