Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të premten, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në Bruksel.
Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kësaj radhe, sipas burimeve, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Serbinë.
Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.
Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka përsëritur thirrjet ndaj qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga “hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar”, që sipas bllokut mund të rrisin tensionet në veri të vendit.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.