Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Këto raste jo rrallëherë ndodhin në hapësira publike, kafeteri, qendra të ndryshme e madje edhe në vendet e punës. Mbrëmë u raporua për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në një biznes në Prishtinë, ku dy punëtore e raportuan shefin.
Media ka mësuar se personi që përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për ngacmim seksual është Besnik Krasniqi (rreth 45-vjeçar).
Viktima janë dy vajza, njëra e moshës 26 e tjetra 24 vjeç, të cilat e kanë denoncuar rastin të hënën në mbrëmje.
Siç merret vesh, dy të rejat kanë raportuar se pronari i kompanisë ku punojnë i ka ngacmuar seksualisht derisa kanë qenë në vendin e punës.
Pas dhënies së dëshmisë nga ana e dy viktimave, Policia është aktivizuar dhe ka arritur të sigurojë prezencën e personit të dyshuar.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari e ka mohuar kategorikisht se i ka ngacmuar seksualisht punëtoret e tij.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.”