Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë në Gjilan, i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Viti ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprime të kundërligjshme. I riu që ra në prangat e Policisë dyshohet për kultivim të bimëve narkotikëve.
Bastisjet janë kryer në fshatin Skifteraj, ku edhe u prangos i dyshuari 21-vjeçar dhe u gjetën disa bimë narkotike që dyshohet se i kishte kultivuar.
Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Edison Ademi.
Bazuar në informacionet e para, zyrtarët policorë të Antidrogës pas kontrolleve të kryera kanë arritur t’i gjejnë disa bimë të kanabisit në një arë në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit.
Njësitë përkatëse të Policisë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që pa autorizim kultivon bimën e hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotropike, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.