spot_img
spot_img
Thursday, January 23, 2025
spot_img
spot_img

Kush janë sot dy kërcënimet më të mëdha për Evropën?!

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë prej kohësh jehonë ankesave tashmë të njohura ndaj Bashkimit Evropian. Ai ka vënë në dukje deficitin e madh tregtar midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, rreth 131 miliardë dollarë në vitin 2022 dhe 208 miliardë dollarë në 2023-shin, si një provë se evropianët nuk po luajnë sipas rregullave dhe po përfitojnë nga naiviteti i amerikanëve.

Për të rregulluar pjesën tjetër të praktikave tregtare “të padrejta”, ai ka premtuar të vendosë tarifa prej të paktën 10 për qind për të gjitha importet, përfshirë ato që vijnë nga partnerët kryesorë tregtarë evropianë.

Ndërkaq Trump ka vënë në pikëpyetje, nëse Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të garantojnë sigurinë e Evropës përmes NATO-s. Ai është ankuar vazhdimisht për ndihmën ushtarake dhe financiare, që Kongresi i ka dhënë Ukrainës për mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.

spot_img

Së bashku me zëvendës/presidentin e tij të zgjedhur, J.D.Vance, Trump beson se evropianët duhet të japin pjesën kryesore të ndihmës së ardhshme për Ukrainën, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të kenë mundësi ta zhvendosin vëmendjen e tyre në Kinë dhe Paqësor.

Në Evropë ka një debat të vazhdueshëm, se cila është qasja më e mirë ndaj  administratës së ardhshme Trump. Madje disa argumentojnë se ai duhet të joshet me para. Kështu presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka sugjeruar se Evropa duhet të përdorë “strategjinë bllokut të çeqeve”, dhe të “blejë gjëra të caktuara nga Shtetet e Bashkuara”.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja po blen ende sasi të mëdha gazi – gati 20 për qind – nga Rusia, dhe se do të ishte më mirë që të blinte më shumë gaz nga Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, zyrtarët e BE-së po marrin në konsideratë blerjen e më shumë pajisjeve ushtarake amerikane për ta nxitur Trumpin të heqë dorë nga kërkesa e tij e re që aleatët e NATO-s të shpenzojnë 3 apo edhe 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen.

Megjithatë, ka zyrtarë të tjerë të BE-së që dyshojnë nëse Trump do të heqë dorë nga tarifat kundër Evropës në këmbim të disa gjesteve simbolike të tipit “blej mallra amerikanë”. Ata besojnë se Evropa duhet të përgatitet për hakmarrjen dhe kërcënojnë të vendosin një tarifë ekuivalente prej 10 për qind për të gjitha importet amerikane.

Por problemi me të gjitha këto strategji afatshkurtra, është se ato nuk arrijnë të adresojnë problemet strukturore afatgjata të BE-së. Zgjidhja nuk është një ndryshim në politikën tregtare. Suficiti tregtar i BE-së me SHBA-në ishte 20.5 miliardë dollarë në tetor 2024, nga pak më pak se 17.5 miliardë në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ky bilanc tregtar, është vetëm një pjesë e suficitit të llogarisë korente të BE-së me pjesën tjetër të botës, e cila u rrit nga 64.4 miliardë dollarë në 3-mujorin e dytë të 2023-shit, në 134.4 miliardë dollarë në 3-mujorin e dytë të 2024-ës.

Ky bilanc, është pasojë e mungesës së balancës që ka vetë BE-së midis kursimeve të saj të brendshme dhe investimeve të brendshme. Evropianëve nuk u mungojnë as kursimet dhe as mundësitë për investime. Ajo që u mungon, është aftësia për të lëvizur paratë në mënyrë efikase nga një pjesë e BE-së në tjetrën.

Rregullat kombëtare në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, fondet e pensioneve, përthithjen e rrezikut dhe procedurat e falimentimit e bëjnë jo tërheqëse për investitorët që të shohin përtej kufijve të vendeve të tyre në pjesën tjetër të Evropës.

Për pasojë, shumica e kursimeve të Evropës ose qëndrojnë të fjetura në bankat vendase ose synojnë fitime më të larta në tregjet më të mëdha dhe më likuide të kapitalit në Shtetet e Bashkuara. Blerja e më shumë armëve dhe gaz nga SHBA-ja nuk do ta zgjidhë këtë problem ose nuk do të trajtojë dobësitë e sigurisë së kontinentit.

Evropianët duhet të bëjnë investime afatgjata në industri, përfshirë atë të mbrojtjes. Disa nga përgjigjet më të mira ndaj provokimeve të Trump, mund të gjenden në dy raporte kryesore të botuara vitin e kaluar. Në prill, Këshilli i Bashkimit Evropian publikoi një raport, të përgatitur nga ish-kryeministri italian Enrico Letta, mbi reformimin e tregut të përbashkët.

Ndërsa në shtator, Komisioni Evropian publikoi një raport tjetër, nga ish-kryeministri italian Mario Draghi, mbi rritjen e konkurrencës së BE-së. Dy raportet argumentojnë se rënia ekonomike relative e Evropës, përbën një kërcënim ekzistencial për Bashkimin Evropian dhe theksojnë rëndësinë e forcimit të kërkimit, inovacionit dhe investimeve të qëndrueshme në teknologjitë e reja.

Dhe që të dy shpjegojnë se mënyra e vetme se si BE-ja t’i arrijë këto qëllime, është duke ua bërë më të lehtë dhe më tërheqëse evropianëve investimin e kursimeve të tyre brenda BE-së, në vend se t’i kyçin në llogari kursimi apo t’i investojnë jashtë.

Nëse liderët evropianë do të gjejnë vullnetin politik për të zbatuar rekomandimet e raporteve, BE-ja do të jetë shtëpia e një tregu të përbashkët, që mund të arrijë peshën e tij të vërtetë në arenën ndërkombëtare; do të bëhet më e fortë dhe më e vetë-mjaftueshme.

Nëse evropianët dështojnë të veprojnë së bashku për ta përmbushur këtë vizion, do të humbasin vendet e punës, investimet dhe inovacionet për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, me koston e standardeve gjithnjë e më të ulëta të jetesës.

Draghi flet për konkurrencën si një “sfidë ekzistenciale për BE-në”, dhe vlerëson se evropianët do të duhet të investojnë “800 miliardë euro shtesë në vit për të rikthyer fuqinë industriale të kontinentit”. Ai argumenton se qeveritë evropiane duhet të përdorin instrumente jo-tregtare si garancitë e kredisë, subvencionet dhe stimujt tatimorë për t’i drejtuar investitorët privatë në drejtimin e duhur.

Financimi i skemave të tilla, do të kërkonte një rritje të konsiderueshme të huamarrjes. Një pjesë e saj do të duhet të merret kolektivisht nga BE-ja, siç ndodhi gjatë pandemisë në vitin 2020. Por disa vende anëtare, ka të ngjarë të synojnë të arrijnë marrëveshje dypalëshe me administratën e ardhshme të Trump, në vend se të punojnë nëpërmjet BE-së.

Hungaria dhe Sllovakia kanë në krye qeveri më pranë Moskës sesa ndaj Kievit, dhe kanë mirëpritur planet e premtuara të Trump për të sjellë paqen. Ndërkaq si në Itali ashtu edhe në Holandë, e djathta ekstreme është aktualisht në pushtet dhe ndan qëndrimin anti-emigracion të Trump dhe axhendën më të gjerë të krahut të djathtë.

Në Gjermani, Friedrich Merz, udhëheqësi i Unionit Kristiandemokrat, duket se do të bëhet kancelar kur vendi të shkojë në votime në shkurt. Ai është padyshim pro BE-së, por nuk e mbështet huamarrjen kolektive në nivel evropian. Në Francë, zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen këtë verë për të thyer ngërçin politik aktual.

Dhe partia e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar e Marine Le Pen mund të fitojë një shumicë të plotë. Nëse ndodh kjo, Macron do të ishte edhe më pak efektiv në përpjekjet e tij për të çuar përpara vizionin e tij për një Evropë autonome në aspektin strategjik.

Shënim:Erik Jones, drejtor i qendrës Robert Schuman për Studime të Avancuara në Institutin Universitar Evropian në Firence. Matthias Matthijs, profesor i asociuar në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit