Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar qytetin e Shkodrës.
Kurti ka thënë se Shkodra është një qytet që e inkurajon dhe inspiron artistin. Ai ka vizituar kompozitorin Zef Çoba në shtëpinë e tij, derisa ka thënë se është kënaqësi takimi me të.
“Gjuha e kultura, traditat e moçme dhe pasuritë natyrore, janë përbërës që formësojnë veprat artistike e që frymojnë edhe përmes muzikës. Mjeshtri i madh Zef Çoba, jo vetëm që ka kontribuar në mozaikun e këngëve aq të dashura shkodrane, por edhe ka kompozuar simfoni e himne bashkëkohore kombëtare. Të tilla janë “Xhamadani Vija-Vija” si dhe kënga “Atdheut”, e cila vjen si një urim vëllazëror i Shkodrës për Kosovën në vitin 2009, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që reciton edhe vargje të Gjergj Fishtës: “Zoti n’qiell e na mbi tokë, me gjithken’ vllazën e shokë”, ka pohuar ai.
Kurti shton tutje se “në shtëpinë-studio të tij, mes udhëtimeve në kujtesën e historive, të përvojave e përjetimeve, kënaqësi të dëgjosh edhe për ndërthurjen e këngëve mes Kosovës e Shqipërisë, si në rastin mes Gjakovës e Shkodrës, të cilat jo pak herë miqësisht kanë mospajtime mbi autorësinë se ku përkasin disa këngë të caktuara”.