Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka filluar takimet me partitë politike të komuniteteve, për konsultime në lidhje me formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pas takimit me Emilija Rexhepin, zëvendëskryeministren e tretë dhe kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Kurti është takuar me ministrin në largim për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
Në njoftim thuhet se ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm.
Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim.
Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.