spot_img
spot_img
Saturday, January 18, 2025
spot_img
spot_img

Kurti: Më 9 shkurt, lezet e selamet cep më cep, e për opozitën hajmedet

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të premten ka thënë se investimet e në Spitalin e Prizrenit do t’i bëjnë model për Kosovën e rajonin. Përmendi ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, me të cilën tha se po vendoset drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe pse u ngjit në skenë, e pati të pamundur të nisë menjëherë fjalimin për shkak të këngës dhe thirrjeve që u brohoritën nga pjesëmarrësit në Palestrën e Sporteve “Sezai Surroi” në Prizren.

“Zhvillim cep më cep, sovranitet cep më cep, integritet cep më cep. Veç a e dini çka s`po mundemi të bëjmë cep më cep? Nuk po mundemi ta bëjmë një fotografi që ju përthekon cep më cep”, ishte përgjigjja e Kurtit.

spot_img

Në Prizren, Kurti tha se kanë rritur investimet e njëlloj do të veprojnë edhe na katër vjetët qeverisje që ka vendosur për qëllim.

“Mandatin tjetër me investimet që do t`i bëjmë, atë në Spitalin e Prizrenit, ai do të jetë spital model për Kosovën e për rajonin më gjerë”.

Sipas Kurtit, për më pak se katër vjet në qeverisje kanë asfaltuar mbi 100 km rrugë e më për zemër tha se kanë rrugën Prizren-Tetovë.

“Me këtë rrugë ne vendosim drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike. Malet i kemi për të na mbrojtur, jo për të na ndarë”.

Nga Prizreni bëri thirrje sërish që Telekomit të Kosovës t`i kthehen 62.6 milionë eurot e marra nga procesi i arbitrazhit me Korporatën Devolli.

“Korporata Devolli 62.6 milionë euro ia ka zhvatur Telekomit të Kosovës, që do të thotë se secilit prej tyre, secilit qytetar ia ka marrë 40 euro. Unë kërkoj përsëri nga pronari i Korporatës Devolli t’ia kthejë menjëherë Telekomit 62.6 milionë euro dhe t’u kërkojë falje për arbitrazhin e kurdisur… Bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri e këta oligarkët pasuroheshin në arbitrazhe, të dy grupet në dëm të Kosovës, e tash shtrohet pyetja a me koordinim a pa koordinim”, ka thënë Kurti.

Vazhdim të investimeve tha se do të vazhdojë të bëjë në ushtrinë e Kosovës, derisa tubimin në Prizren e përmbylli më ndryshe se në komunat e tjera.

“Nijetin e kemi të mirë, hyzmetin po ja bëjmë, ymytin e kemi të madh e kësmet më 9 shkurt, lezet e selamet cep më cep e për opozitën hajmedet”.

Paraprakisht, Kurti të premten, ka qëndruar në Bresanë të Dragashit. Nga banorët e kësaj ane ai u prit në oborrin e Shtëpisë së Kulturës.

Njëri nga ta pati dhuratë për Kurtin. Një çifteli me emrin e tij të gdhendur në të ia dhuroi me të arritur në vendtubim. Hyrja e kandidatit të Lëvizjes për kryeministër u prit me brohoritje e duartrokitje.

Në Dragash, Kurti tha se gjatë mandatit katërvjeçar, Qeveria ka investuar miliona euro.

“Suksesin që e kemi pasur në këto katër vjet nuk e kemi mbajtur veç për shtet, e kemi shpërndarë për shoqëri, e kemi shpërndarë në çdo komunë. Këtu në fshat janë 33 familje të cilat i kemi përkrahur për izolim të shtëpive. Shtëpitë e izoluara dimrit janë më të nxehta, verës janë më të freskëta, ndërkohë që edhe fatura e rrymës ju vjen më lirë”, tha ai.

E investime të tilla, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, premtoi edhe për mandatin e radhës që e synon.

“Tjetra, ne e dimë që sfidat janë të mëdha kur vjen puna te shërbimi e kujdesi shëndetësor dhe shpesh shkohet në Prizren për çdo specialist. Ne dimë po ashtu sa mjekë specialistë të zotë ka dhënë e ka rajoni i Sharrit, prandaj unë dua që ju ta dini se në mandatin tonë të ri ne do të ndërtojmë një poliklinikë specialistike në komunën e Sharrit. E aty ju do të mund të merrni shërbime specialistike me mjekë specialistë të fushave të ndryshme shumë afër shtëpive tuaja”, tha Kurti.

Në Bresanë, Kurti banorëve u foli edhe për mbylljen e strukturave ilegale, jo veç në veri, por edhe në komunën e Dragashit.

“Banka komerciale e Serbisë ka funksionuar ilegalisht në objektin që është pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pra merreni me mend, një bankë ilegale e Serbisë që funksionon në jug të Kosovës, në pronë të shtetit të Kosovës. Hajde në veri qeverive të kaluara u ka munguar guximi, por në jug të Ibrit, prej kujt janë frikësuar ata?” – shtoi ai.

Kërkesë të veçantë pati edhe për banorët e komunës që jetojnë në diasporë.

“Ata që nuk arritën të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, për numrin tonë 118, le ta marrin biletën e le të nisën për ditën e zgjedhjeve me veturë, autobus a me aeroplan, qysh të munden”.

I bindur u shpreh edhe për fitoren në garën zgjedhore që është duke u zhvilluar. Kur e tha këtë, thumboi opozitën.

“Një qytetar duke ardhur këtu u fotografua me mua edhe më tha “a bon me të pyet diçka”. I thashë “po more”. Tha: “A je lodhë?” A di çka i thashë unë? Njëherë thashë jam tu i lodhë ata të tjerët. Njëherë jam tu i lodhë ata të tjerët edhe qe besa jo veç tu i lodhë po tu i dërrmu, rraskapitë e shpartallu. E mbas 9 shkurtit kur do të votojmë bashkë, kur të fitojmë bashkë e kur të festojmë bashkë, prapë nuk do të mundem me pushu, sepse duhet të punoj për ju”.

Kurti u shpreh i bindur se qeverisjet e kaluara nuk do të kthehen më në pushtet për shkak se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë qytetarët.

“Ata e kanë trajtuar shtetin tonë të dashur e të përbashkët por si një lopë që e ushqejnë qytetarët edhe e mjelin pushtetarët. Por koha e tyre ka kaluar e ka ikur në pa kthim”, ka thënë kandidati i LVV-së.

Për Kurtin e Vetëvendosjen, vota veçanërisht nga gratë e vajzat, kërkoi kandidatja për deputete, Arbërie Nagavci.

“Zëri juaj vlen dhe duhet të dëgjohet fuqishëm më 9 shkurt, për Vetëvendosje, për numrin 118, për kryeministrin Albin Kurti”, tha Nagavci,.

Pas Bresanës së Dragashit e Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje, fushatën të shtunën do ta vazhdojë në Gjilan.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit