Saturday, May 3, 2025
spot_img

Kurti ia ndanë 10 milionë euro të tjera Telekomit

Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Albin Kurti, ka vendosur që t’ia ndajë edhe 10 milionë euro ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, të cilën në vazhdimësi me vartësit e tij e kanë quajtur ndërmarrje publike fituese.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës lavdëroi tejmase punën e Telekomit të Kosovës, ku përmendi shënimin e shtatë milionë eurove fitim për dy vite radhazi.

Megjithatë, të hyrat fituese vjetore deri më tani shënojnë totalin e 14 milionë eurove, teksa kjo është hera e dytë që Qeveria po ndan kredi për këtë ndërmarrje publike. Pra, totali i kredive të ndara është 30 milionë euro, që është gati dyfish më i lartë sesa lartësia e shumës së fitimit.

“Me fuqizimin e ndërmarrjeve publike, përmes mirëmenaxhimit dhe investimeve të nevojshme për qytetarët, është përmirësuar llogaridhënia, besueshmëria e pasqyrave financiare, si dhe janë radhitur rezultate mbreslënëse në fitimin që kanë shënuar ato. Shembull tejet pozitiv është edhe ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës, që ka mbërri fitim prej shtatë milionë eurosh në vitin 2023 dhe shtatë milionë euro për vitin 2024, e pas vitesh humbje kumulative prej 149 milionë eurosh. Me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të kësaj ndërmarrje, sot është prezantuar aprovimi në parim i kërkesës për huamarrje në vlerë prej 10 milionë eurosh për Telekomin e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, në elaborimin e tij lidhur me aprovimin e kredisë, e përmendi si sukses zvogëlimin e numrit të stafit të kësaj ndërmarrje. Gazeta ka raportuar në vazhdimësi lidhur me humbjet e rasteve në gjykata me punonjës që Telekomi ua ka ndërprerë kontratat në mënyrë flagrante.

“Para jush paraqes kërkesën për huamarrje në vlerë prej 10 milionë euro nga Telekomi i Kosovës, e cila kërkon miratimin në parim të qeverisë. Ndërmarrja e Telekomit të Kosovës me të marrë mandatin kishte vështirësi të shumta, sidomos financiare, por edhe organizative për shkak të shumë e shumë viteve keqmenaxhim dhe abuzim me ndërmarrjen gjatë qeverisjeve të kaluara. Gjithsesi, me bordin e duhur dhe menaxhmentin e duhur, dhe me përkushtimin edhe të Qeverisë për ta mbështetur ndërmarrjen, ndërmarrja ka arritur të këndellet, kësisoj, pra, duke zvogëluar fillimisht shpenzimet operative, numrin e stafit, kjo ka rezultuar që të ketë investime të reja gjithsesi edhe me mbështetjen e Qeverisë dhe tashmë edhe trendi i të hyrave është kthyer në trend rritës. Siç e thatë ju, kemi të bëjmë me një performancë tepër të mirë, ku tashmë kemi edhe realizim të profitit neto prej shtatë milionë eurosh për dy vite radhazi”, ka thënë ndër të tjera Murati.

“Gjithsesi, vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha, pra ka ende probleme që nga e kaluara e errët e abuzimeve dhe keqmanxhimit shumëvjeçar ende paraqesin probleme dhe shkaktojnë herë pas here, sikurse në rastin konkret, probleme me likuiditet ku ndërmarrja tash e disa muaj ka llogari të bllokuara për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e dëmshme, e mëhershme. Kjo ka rezultuar që ndërmarrja të jetë në vonesa në pagesat e faturave me operatorët ekonomikë me të cilët ka marrëdhënie dhe gjithsesi edhe në vonesa në shlyerjen e obligimeve tatimore. Në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë, pra ndërmarrja t’i kthehet përqëndrimit në vazhdimin e investimeve dhe rritjen e ndërmarrjes, propozoj para jush që të miratohet kjo kredi në mënyrë që të vijoj tutje në hapat teknik për të mundësuar kësaj kredie të likuiditetit, në mënyrë që ndërmarrja të vazhdojë tutje”, ka thënë tutje ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit