Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.
Kurti e uroi Sørensen për pozitën e tij të re dhe e informoi për hapat drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së 9-të të Kosovës.
Në këtë takim një ndër kërkesat më kryesore ishte që Bashkimi Evropian të heqë menjëherë masat kufizuese ndaj Kosovës, duke theksuar kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së.
Kurti diskutoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, duke kërkuar një angazhim të BE-së për këtë proces.
Ai rikujtoi dy sulmet e dhunshme, atë në Banjskë në shtator 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, duke nënvizuar rrezikun që paraqet kryeterroristi Millan Radoiçiq dhe grupi i tij për sigurinë e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve në dialog.
Po ashtu, Kurti kërkoi që Radoiçiq dhe grupi i tij, të cilët akuzohen për veprime terroriste dhe krime të tjera, të dorëzohen për gjykim në Kosovë.
“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohet Kosovës për gjykim”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.